Të gjithë në Has e shohin të ardhmen në Angli. Nuk kanë frikë se mund të rrezikojnë edhe jetën në udhëtime të frikshme në të zezë: Klandestinë në një kalim ilegal , fshehur nëpër kamionë me çmim goxha të majmë: Deri në 17 mijë paund. “Report Televizion” udhëtoi në fshatin Nikoliq disa kilometra larg qytetit të Krumës, aty ku jeton familja e Kastriot Ahmataj. Ky i fundit, ndodhet të paktën prej tre vitesh në Londër, i zbuluar së fundi nga një investigim i gazetarëve të Daily Mail, si shqiptari nga Hasi që fshihet pas trafikut të klandestinëve.
Në shtëpinë e tij, me themele ngritur mes mjerimit, jetojnë prindërit, dy vëllezërit, njëri prej të cilëve i sëmurë e ndërsa tjetri i martuar me dy fëmijë. Babai i Kastriot Ahmatajt, nuk e di që djali i tij është kthyer në trafikant dhe që u merr shqiptarëve 17 mijë paund, siç zbuloi Daily Mail.
Ai ende vuan pasojat e një vlere ende të pashlyer prej 7 mijë e 500 paund që mori borxh për të nisur Kastriotin në “të zezë” për një jetë më të mirë jashtë pamundësive ekonomike që ofron Hasi. I moshuari nuk sheh televizor, dhe lajmin se djali i tij është bërë pjesë e një grupi për trafik klandestinësh, e mëson prej stafit të “Report Tv”. Islam Ahmataj ja lë në dorë shtetit nëse djali i tij është i përfshirë. Teksa “Daily Mail” e përshkruan hasjanin si përfitues të vlerave të mëdha për çdo kalim të paligjshëm në mënyrë ilegale të kufirit, një tjetër panoramë ofrohet në shtëpinë e tij. Prindërit jetojnë në kushte të vështira. Babai mjaftohet me ndonjë shumë minimaliste, prej 200 paundsh, që i biri i dërgon në ato pak raste kur Kastrioti kthen sytë nga familja.
Gazetari: Islam kur ka ikur Kastrioti në Angli?
Islam Ahmataj: Ka ik vallaj nga 3 vjet.
Gazetari: A të ka treguar? Po lekë a të ka kërkuar për të ikur andej?
Islam Ahmataj: Ja kam paguar rrugën për ta çuar në Belgjikë a në Francë se mbaj mend. Për Angli kam marrë 7500 paund për ta çuar. Borxh i kam akoma. E pa veten ngushtë këtu. Nuk kishte punë. Punonte rrallë për 5 mijë lek. Kas pas punuar edhe në shtëpi.
Gazetari: Po lajmin e ke dëgjuar?
Islam Ahmataj: Jo nuk kam dëgjuar lajme se nuk shoh televizor. Nuk kam asnjë apel sepse nuk kam dëgjuar gjë, Shteti të bëje punën. Nëse djali im ka bërë një palviqdhane( budallallëk) shteti të bëje punën e vet.
Gazetari: Po lek a ka sjell ndonjëherë djali jot?
Islam Ahmataj: Nuk i kam rënë në qafë por ka çuar ndonjëherë 200 paund, rrallë.
Gazetari: Po ndonjë problem të ka sjell?
Islam Ahmataj: As një lloj problem nuk më ka sjell. As në familje as në shoqëri, as kërrkund.
I ati i Kastriotit, punëtor galerie në minierë në vitet e monizmit, tashmë invalid pune tregon se përveç Kastriotit në Angli ka edhe tre fëmijë të tjerë, një djalë dhe dy vajza të cilët kanë krijuar familjet e tyre dhe janë me letra.
Rinia në Has është me sytë drejt largimit nga vendi. Teksa i pyet, të gjithë kanë nga një familjarë të tyre që është larguar në Angli në të njëjtën mënyrë si shumica atje: Me kamionë duke kaluar ilegalisht kufijt në disa shtete derisa mbërrijnë në destinacionin e preferuar të këtij qarku: Në Londër.
4 mijë të rinj e familjarë aktualisht ndodhen në Angli duke e bërë Hasin një nga ato zona që për nga numri i popullsisë të ketë emigracionin më të madh në veri-lindje të vendit. Më parë, siç shprehen vetë banorë, partë që fitojnë në emigracion, hasianët i investonin në makina të shtrenjta. Por tashmë, i kanë kthyer sytë nga ndërtimi, duke ndërtuar shtëpi e vila.
E tillë është edhe një lagje në periferi të Krumës, Plane. Dikur tokë bujqësore, sot e “mbytur” me vila 2-3 katëshe, shumica me qira, ose në shitje, teksa dhjetëra të tjera janë në ndërtim e sipër. Çka shihet si fatkeqësi prej tyre, është fakti që nuk ka më njerëz se kush të jetojë në to…të gjithë po largohen.