Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në lidhje me mënyrën sesi ka transportuar fletët e votimit që nevojiten për emigrantët që do të votojnë me postë.
Në një njoftim për media mësohet se prokuroria po heton pretendimet nëse veprimet që ka kryer diplomati Berishaj përmbushin elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se Berishaj kishte tërhequr zarfe me vota nga posta dhe i kishte dorëzuar ato në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, tërheqja e dërgesave nga kutitë postare të KQZ, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Më 9 janar filloi votimi me postë për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të cilat mbahen më 9 shkurt.