I sanksionuari nga Amerika për akte korruptive dhe destabilizuese që kanë mundësuar gjithashtu aktivitete keqdashëse të Rusisë në rajon, zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin ka bërë një kërkesë dhe pyetje të çuditshme.
Derisa ka hedhur akuza ndaj perëndimit, Vulin që njihet për afërsinë e tij me presidentin rus Vladimir Putin, ka pyetur gjithashtu se pse kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk po sanksionohet nga Amerika.
“Pse Kurti nuk është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Pse po takohet me zyrtarë të BE-së? Pse nuk i ndërpriten fondet dhe projektet e tij nga BE-ja”, ka thënë Vulin, raporton Srna.
Çuditërisht këto komente Vulin i bëri nga Vladivostok, një qytet i Rusisë, e cila ka kohë që po bën luftë në Ukrainë dhe në vazhdimsi tenton destabilizimin e Ballkanit.
Aty Vulin po merr pjesë në një forum ekonomik.
Zv.kryeministri serb, që ndodhet ende nën sanksionet amerikane, ka vazhduar me akuza edhe ndaj BE-së e QUINT-it.
Ai pohon se edhe “KFOR-i shtiret si i paaftë, ndërsa komandanti i këtij misioni ushtarak dërgon një deputet në takim me krerët e serbëve për të mos u përkushtuar për veprim”.
Aleksandar Vulin, ish- drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), është zyrtari më i lartë në Serbi që është vendosur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, erdhi në pushtet.
Partia Progresive Serbe (SNS), të cilën Vuçiqi e drejtoi deri vonë, është në pushtet që nga viti 2012.
Në reagimin e tij të parë më 12 korrik vitin e kaluar, Vuçiq vlerësoi se sanksionet ndaj Vulinit, i cili është partner koalicioni me SNS-në, nuk u vendosën për shkak të “ndonjë krimi, korrupsioni, çfarëdo qoftë”, por për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë.
Ai paralajmëroi gjithashtu një hetim.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së sanksionoi Vulinin për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për shkak të lidhjeve me Rusinë.
Mysafir i Moskës edhe pas agresionit ndaj Ukrainës
Në vendimin e Departamentit amerikan të Thesarit është thënë se Vulini përdori pozitat e tij publike për të mbështetur Rusinë.
Përpara se të emërohej në krye të BIA-s, në dhjetor të vitit 2022, Vulin mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme, ndërkaq, më parë, ministër i Mbrojtjes.
Nënsekretari amerikan i Thesarit, Brian E. Nelson, më 11 korrik, tha se Vulin konsiderohet përgjegjës për “akte korruptive dhe destabilizuese që kanë mundësuar gjithashtu aktivitete keqdashëse të Rusisë në rajon”.
“Duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë, të cilat degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në këtë mënyrë i ka siguruar Rusisë një platformë për ndikim të mëtejshëm në rajon”, thuhet në deklaratë.
Vulin, i njohur për marrëdhëniet e tij të ngushta me Moskën, nuk i ndërpreu kontaktet edhe pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainën fqinje, në shkurt të vitit 2022.
Herën e fundit, siç raportojnë mediat shtetërore ruse, ai ishte në Moskë, më 24 maj, si përfaqësues i Serbisë në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë.
Vulin, gjithashtu, qëndroi në Moskë, në gusht të vitit 2022, si ministër i Punëve të Brendshme.
Asokohe, ai i tha ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se Serbia është i vetmi vend që nuk është bërë pjesë e “histerisë anti-ruse”.
Fotografi e realizuar gjatë takimit midis ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, dhe sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Petrushev.
Në atë kohë, Bashkimi Evropian vendosi disa pako sanksionesh kundër Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës. Deri më sot, Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, pavarësisht thirrjeve të shumta.
Vulin është kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe disa herë ka përsëritur se Serbia nuk do t’i vendosë ato.
Vulin shkoi në Moskë dy muaj përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë dhe derisa trupat e saj ishin në kufi me atë vend.
Në atë kohë, njeriu i parë i policisë serbe i premtoi shefit të sigurimit rus, Nikolai Patrushev, se Serbia “nuk do të jetë kurrë pjesë e hapësirës për të nisur një fushatë” kundër Rusisë dhe Vladimir Putinit.
Në atë takim u tha se vendet e lira duhet t’u rezistojnë “revolucioneve me ngjyra”.
Revolucion me ngjyra është emri që përdoret për përmbysjen e regjimeve autoritare, siç ishte rasti në Ukrainë më 2004/2005. Kjo ngjarje njihet si Revolucioni i Portokalltë.
Bashkë me premtimin për Patrushevin, Vulin me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, u mor vesh për blerjen e sistemeve të reja ruse të mbrojtjes ajrore Pancir.
Për shkak të kontakteve të tij me shefin rus të sigurisë, Patrushev, opozitari rus Vladimir Kara-Murza akuzoi Vulinin, në fund të vitit 2021, se kishte çuar në Moskë regjistrimet e një takimi të anëtarëve të opozitës ruse në Beograd, pas së cilës njëri prej tyre u arrestua në Rusi.
Vulin mohoi pretendimet dhe paralajmëroi padi kundër Kara-Murza, por nuk dihet nëse ka nisur procedura ligjore.
Në prill, Kara-Murza u dënua me 25 vjet burgim në Rusi për “tradhti të lartë”, përhapje të “informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse dhe punë ilegale për një organizatë “të padëshirueshme”.
Departamenti amerikan i Thesarit, në shpjegimin e vendimit për sanksionet kundër Vulinit, thekson se ai “mbante marrëdhënie me dobi të dyanshme me tregtarin serb të armëve Sllobodan Teshiq, duke ndihmuar që dërgesat e paligjshme të armëve të Teshiqit të lëviznin lirshëm përtej kufijve”.
Për lidhjet e pretenduara të Teshiqit me Vulinin nuk u dhanë më shumë detaje.
Slobodan Teshiq ka qenë nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2017, me katër kompani të lidhura me të.
Është përshkruar si “një nga tregtarët më të mëdhenj të armëve dhe municioneve në Ballkan”.
Ai dyshohet për tregti të paligjshme armësh me disa shtete, si dhe për dhënie ryshfeti.
Në vitin 2019, sanksionet u zgjeruan edhe për nëntë nga bashkëpunëtorët e tij dhe disa kompani të tjera të lidhura me Teshiqin.
Nga viti 2003 deri në vitin 2013, Teshiq ishte gjithashtu në listën e ndalimit të udhëtimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të shkeljes së sanksioneve të OKB-së për eksportet e armëve në Liberi.
Serbia asnjëherë nuk e ka harmonizuar politikën e saj me sanksionet e SHBA-së në rastin e Teshiqit.
Që nga dhjetori i vitit 2022, Teshiq është gjithashtu në “listën e zezë” të Britanisë së Madhe. Vetë Teshiq, kurrë nuk është deklaruar publikisht lidhur me sanksionet.
Lejet për tregtinë e armëve jepen nga Ministria e Tregtisë e Serbisë, në bazë të pëlqimit të disa ministrive – të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme, si dhe të BIA-s.
Korrupsioni në institucionet qeveritare serbe
Departamenti amerikan i Thesarit, në vendimin për sanksione ndaj Vulinit, thekson se veprimet e tij “avanconin korrupsionin” në institucionet qeveritare në Serbi dhe se ai e përdori autoritetin e tij për përfitime personale.
Vendimi thekson vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në aktivitete korruptive, me të cilat avancojnë agjendat e tyre politike dhe interesat personale, në dëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Nuk specifikohet se për cilat veprime bëhet fjalë.
Serbia renditet në vendin e 101-të nga 180 vende të vëzhguara në listën e perceptimeve të korrupsionit, sipas të dhënave të organizatës joqeveritare ndërkombëtare Transparency International – TI, për vitin 2022.
Serbia ka rezultatin 36 nga 100, ku shkalla 100 përfaqëson një shoqëri pa korrupsion dhe shkalla 0 përfaqëson shoqërinë më të korruptuar.
Rënia e Serbisë në listën e Transparency International është shënuar që nga viti 2016.
“Serbia ka rënë në një nivel historik të ulët të perceptimit të korrupsionit, kryesisht për shkak të dobësimit të vazhdueshëm të shtetit ligjor dhe autokracisë në rritje”, thuhet në raport.
Kjo organizatë ndërkombëtare vlerëson se gjyqësori serb “është i ndikuar shumë nga aktorët politikë, të cilët dëmtojnë seriozisht përparimin, në rastet e krimit të organizuar, përfshirë ato që tregojnë përfshirje të zyrtarëve të lartë”.
Rrjeti për hulumtimin e krimit dhe korrupsionit – KRIK, në vitin 2017 publikoi se Vulin nuk mund t’i shpjegonte Agjencisë Kundër Korrupsionit se ku i mori 200.000 euro për të blerë një apartament në qendër të Beogradit.
Ai e bleu apartamentin në vitin 2012.
Atë vit, Partia Progresive Serbe, me Lëvizjen e Socialistëve të Vulinit në koalicion, fitoi pushtetin në zgjedhjet në Serbi.
Duke shpjeguar se si ka ardhur deri te 200 mijë euro për apartamentin, Vulin ka thënë në vitin 2017, si ministër i atëhershëm i Mbrojtjes, se “tezja e gruas së tij nga Kanadaja ia ka dhënë hua”.
I pyetur se si i ka futur paratë në vend, ai është përgjigjur “nëntë herë nga nëntë mijë”. Sipas ligjeve të Serbisë, një shumë më e madhe se 10.000 euro duhet të deklarohet në kufi.
Agjencia Kundër Korrupsionit e ka përcjellë raportin për origjinën e pasurisë së Vulin në Prokurorinë për Krimin e Organizuar, e cila ka vendosur, në vitin 2017, se nuk ka bazë për zhvillimin e procedimit.
Rasti është hedhur poshtë edhe në Prokurorinë e Parë Themelore në Beograd.
Veprimtari të paligjshme lidhur me lëndët narkotike
Në vendimin e Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se Vulini është përfshirë në krim të organizuar transnacional, aktivitete të paligjshme që ndërlidhen me narkotikët dhe keqpërdorim të detyrës publike.
Nuk dihet se në çfarë mënyre Vulini është lidhur me narkotikët.
Shkaku pse Vulini ishte në shënjestër të kritikave në vend, në radhë të parë nga opozita, ishte paraqitja e tij në plantacionin e ushqimeve organike “Jovanjica”, pasi aty, sipas aktakuzës, u gjet një ton e gjysmë marihuanë.
Ai ka vizituar “Jovanjicën” në vitin 2015, si ministër i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, bashkë me kryesinë e Shërbimit Kombëtar për Punësim.
Kur u zbulua marihuana në “Jovanjica”, Vulin tha se në vitin 2015 nuk mund ta dinte se çfarë do të ndodhte katër vjet më vonë.
Vulin e tha këtë në nëntor të vitit 2019, në Kuvendin e Serbisë, duke shtuar se në “Jovanjica” ka vjelë domate dhe rrepkë.
Në videot e regjistruara gjatë asaj vizite, Vulini është i veshur me veshje pune me ngjyrë të kaltër, duke mbledhur perime.
Pronari i plantacionit “Jovanjica”, Predrag Koluvija, akuzohet si organizator i grupit kriminal që kultivonte marihuanën për shitje.
Për rastin “Jovanjica”, në Gjykatën Speciale për Krim të Organizuar janë duke u zhvilluar dy procedura gjyqësore – “Jovanjica 1” dhe “Jovanjica 2”.
Aktakuza për rastin “Jovanjica 2” ngarkon kryesisht pjesëtarët e policisë, Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës dhe Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake, për ofrimin e mbrojtjes për Koluvijan.
Është i njohur edhe rasti i janarit të vitit 2017, kur në një veturë të Ministrisë së Punës u arrestua vëllai i sekretarit shtetëror Aleksandar Jabllanoviq, i cili dyshohej për trafik droge.
Vulin, i cili ishte në krye të asaj ministrie, tha asokohe se vetura zyrtare u përdor nga një person, i cili nuk kishte të drejtë ta bënte këtë dhe për këtë arsye sekretari i Shtetit dha dorëheqjen.
Vulin tha, gjithashtu, se bashkëpunëtori i tij nuk kishte “absolutisht asnjë lidhje me veprimet e vëllait të tij”.
Policia njoftoi se në veturën zyrtare të Ministrisë së Punës nuk është gjetur drogë. U konfirmua informacioni për arrestimin e katër personave për drogë, por jo nëse mes tyre ishte edhe vëllai i sekretarit të Shtetit.
Siç raportojnë mediat, ai u lirua nga akuza për përfshirje në trafik droge, pas një rigjykimi në Beograd, ndërsa tre persona u dënuan për transport të kanabisit.
Në tetor të vitit 2021, ministri serb i Punëve të Brendshme, bashkë me kolegun e tij hungarez, Sandor Pinter, vizitoi patrullën serbo-hungareze në pikën kufitare Horgosh-Reska.
Kur Vulini iu afrua patrullës, qeni i policisë i lehu atij.
Kjo ka qenë shkak për komente në rrjete sociale, të llojit “qeni nuk gabon kurrë”.
Pas vendimit të SHBA-së për të përfshirë në listën e sanksioneve njeriun e parë të BIA-s, disa parti opozitare kërkuan shkarkimin e Vulin-it, si dhe nisjen e hetimeve nga policia dhe prokuroria.
Deri në publikimin e këtij teksti, BIA dhe Qeveria e Serbisë nuk kanë dhënë ndonjë koment.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a duhet të shkarkohet Vulini pas vendosjes së sanksioneve amerikane.
Në një konferencë për shtyp, më 12 korrik, Vuçiq tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim” kundër Vulinit.
Por, ai shtoi se nuk e ka vënë re “se kokaina është gjetur në zyrën e Vulin, por në Shtëpinë e Bardhë”.
Në përgjigjen e tij, Vuçiq iu referua hetimit që nisi në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, pasi u gjet kokainë në zonën ku vizitorët lënë gjësendet e tyre.