Pushuesit janë shprehur të frikësuar pas ngjarjes në plazhin e Radhimës ku konflikti mes dy vëllezërve degjeneroi në të shtëna me armë. Për mikrofonin e A2 CNN, një pushuese nga Kuçova, dëshmitare në vendngjarje tha se u dëgjuan shumë të shtëna dhe e frikësuar i tha bashkëshortit që të largohen, pasi nuk mund të qëndrojnë më këtu.
“I thashë çupës merr djalin dhe ik. Dëgjuam krisma disa herë, erdhi shpejt policia dhe ambulanca. Jemi të frikësuar. Nuk mund të rrimë më këtu. Do t’i them burrit hajde ikim. Jemi nga Kuçova“.
Një tjetër pushues dëshmon tmerrin e pushuesve që u larguan me vrap pas të shtënave.
“Isha me nja dy mbrapa, dëgjuam shumë të shtëna. Njerëzit u larguan me vrap, kisha çupën dhe djalin dhe ikën me vrap”.
Ndërsa një pushuese italiane tregon se të shtënat erdhën nga parkingu, ndërsa pa njerëzit që largoheshin me vrap.
“Nuk pashë asgjë, por mendoj që të shtënat erdhën nga parkingu dhe pashë njerëzit që largoheshin me vrap. Ndodhem për herë të parë në Shqipëri me pushime”.