E shtunë, 19.10.2019, 16 vite pas lumnimit të Nënë Terezës, Bijës më të madhe të Kishës dhe Kombit tonë, u bë një festë e madhe në Misionin Katolik Shqiptar në Sirnach, gjegjësisht në Uznach. Në këtë ditë, besimtarët e Misionit tonë, ishin bashkuar për të inauguruar truporën e Shën Nënë Terezës.
Për të rritur solemnitetin e festës kishte ardhur ipeshkvi ynë Mons. Dodë Gjergji, i cili udhëhoqi meshën shenjte, Don Marjan Lorenci, me motrat dhe besimtarët nga Misioni i Luzernit. Një përshëndetje në fillim të meshës, në kishën e benediktinëve, të mbushur për plot besimtarë, e bëri Abati Emanuel. Kori i Misionit, të veshur bukur, të ndihmuar edhe nga Prof. Zef Çoba dhe kantautori Roland Gjoka, të ardhur enkas nga Shkodra e bënë meshën shumë solemne. Leximet ishin në të dy gjuhët, shqip dhe gjermanisht, po ashtu edhe paraqitja e dhuratave gjatë meshës me simbole që kishin të bënin me jetën e Nënë Terezës.
Ipeshkvi gjatë predikimit ndër të tjera tha: “Nënë Tereza është një ungjill i vogël, kurse cili prej nesh mund dhe duhet të mësojë shumë. Mos të harrojmë se ajo vlerat e bamirësisë i mësojë në shtëpi, nga Nëna Loke. Pra, unë në këtë ditë të veçantë për Misionin tuaj dhe të gjithë juve, ju porosisë t`i mësoni fëmijët tuaj vlerat e Kishës dhe të popullit tonë. Ruani familjet tuaja! Ato duhet të jenë të bashkuara në dashuri. Sepse siç dëgjuam edhe në leximin e Shën Palit, asgjë nuk vlejnë as njohuritë e botës, as pasuria materiale, nëse na mungon dashuria. Vetëm dashuria mund të shpëtojë botën, na porositë NënëTereza», përfundoi predikimin ipeshkvi.
Në përfundim të meshës, meshtari ynë Don Alberti mori fjalën duke falënderuar Ipeshvkin tonë për praninë e tij dhe kujdesin që ka për Diasporën dhe Misionin tonë, pastaj Abatin Emanuel që ka përkrah këtë projekt dhe të gjithë të pranishmit, duke thënë:
«Kam nderin dhe kënaqësinë që si udhëheqës i Misionit për Zvicrën Lindore, me selinë Sirnach, në emër të Motrave, të bashkëpunëtorëve dhe në emrin tim, t`i them disa fjalë rasti në këtë ditë kaq të veçantë dhe të rëndësishme për ne si komunitet dhe si popull, inaugurimi i shtatorës së tretë në territorin e Misionit tonë, pas asaj në Wil në 2017, në Winterthur në 2018 dhe tani në Uznach, të Bijës më të madhe të kombit tonë Nënës sonë Tereze.
Pse bash 19 tetori, pra data e sotme? Sepse më 19.10.2003 Papa Gjon Pali II e shpalli të lume Nënën tonë Tereze, duke thënë: “Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj.”
Nënë Tereza është mërgimtarja më e njohur shqiptare, e cila në moshën 18 vjeçare e la vendlindjen dhe familjen, për mos të takuar kurrë më për së gjalli, nënën loke, siç e quante nënën e vet dhe motrën Age.
Por mallin dhe dashurinë për vendlindjen e barti në zemër deri në fund të jetës së vet. Sepse ajo vet thoshte: E kam në zemër popullin tem shqiptar!
Vëllezër dhe motra, Nënë Tereza, është pasaporta jonë kombëtare para botës, njeriu që i mishëroi në vepër vlerat tona fetare dhe kombëtare, merita e të cilës për ne si komb është e jashtëzakonshme, sepse me të drejtë të tjerët për ne thonë: Një popull që ka dhënë një Nënë Tëreze, assesi nuk është popull i vogël. Pra, tash e tutje ne këtu në Uznach, kemi një pëllabmë tokë shqiptare, sepse këtu e kemi Nënën tonë Tereze, e cila na thërret dhe na mëson të duam Zotin dhe vëllain njeri pa dallime.
Në përfundim të meshës, për nder të festës, ishte një program i vogël kulturor: Derisa të rinjtë me veshje kombëtare lexonin mesazhet e Nënë Terezës në shqip dhe gjermanisht, këngë të bukura kushtuar Nënës, Martirëve dhe Atdheut, të cilat i këndoi Roland Gjoka, së bashku me Korin tonë. Pastaj në emër të Misionit tonë, Bekim Markaj, në shenjë falënderje, Abatit ia dhuroi një pikturë të Nënë Terezës.
Pas meshës shkuam tek truporja shumë e bukur e Nënë Terezës, e punuar mjeshtërisht këtu në Zvicër, ku pas lutjes së bekimit nga ipeshkvi ynë, shtatoren e zbuluan së bashku me Abatin, dhe pastaj vazhduam me një koktej shumë të pasur, të përgatitur nga gratë “Nëna Shqiptare”.
Jeta jonë është shërbim dhe falënderim. Prandaj falënderojmë Zotin për këtë ditë dhe për Nënën tonë Tereze, ipeshkvin tonë, Abatin dhe të gjithë besimtarët që ndihmuan në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për Misionin tonë dhe komunitetin shqiptar në Zvicër.
Për Dritën: Bekim Markaj