Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është iniciuar një rast ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, për gjuhë kërcënuese e frikësuese në një tubim të Bekim Jasharit në Skenderaj në fushatën për zgjedhjet lokale të tetorit.
Në videon e siguruar nga KOHA dëgjohet Haxhiu teksa u drejtohet qytetarëve me fjalët se “secila shtëpi ka me u ditë për kënd ka votuar në këto zgjedhje”.
“Ju thashë në katund temin, e po ju them edhe juve këtu. Këto zgjedhje kanë me u mbajt mend edhe në histori. Kanë me u regjistru edhe në KQZ. Me katund, me bashkësi lokale kush me kënd u kanë. Vallahi me shpi ka me u ditë. Kush u kanë me Jasharët, me Bekim Jasharin e kush kundër tyre u kanë”, dëgjohet teksa flet Haxhiu.
Nga PZAP-ja kanë konfirmuar shkurt për KOHËN se është pranuar një ankesë e tillë. Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-së, ka thënë se ankesa do të shqyrtohet dhe për të do të vendoset brenda afatit ligjor.
Haxhiu po e përkrah Jasharin si kandidat të pavarur, edhe pse Partia Demokratike e Kosovës po garon me Fadil Nurën. KOHA ka kontaktuar me Haxhiun, por ai ka thënë se për herë të parë po dëgjon se ndaj tij mund të jetë iniciuar rast për gjuhë kërcënuese. Madje pretendimet për gjuhë kërcënuese i ka cilësuar manipulime.
“Prej jush po dëgjoj për këtë. Unë s’kam informacion. Është e drejtë e secilit ta përkrahë atë që do. Më duhet të them që dihet nga fillimi se kush e përkrah Bekim Jasharin. Aty s’ka pasur kurrfarë kërcënimi, janë manipulime të mediave. Kanë prerë fjali të caktuara për t’u dukur ashtu. Kjo është normale, secili e përkrah atë që do dhe nuk shoh diçka si problematike në këtë punë. KQZ-ja në fund i jep detajet se kush kë e ka votuar, kjo është normale. Unë jam duke bërë fushatë”, ka thënë ai.
Irani ka përjetuar një tjetër natë ferri. Shpërthime të fuqishme kanë ndodhur një nga aeroportet…
Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në…
Shahid Bahman Bagheri ishte mjeti i parë lundrues i specializuar për dronë,një anije 240 metra…
Mediet arabe raportuan të premten informacionin se iranianët ekzekutuan gjeneralin Ismail Qa'ani si agjent të…
Presidenti Donald Trump mirëpriti të enjten një grup pasotrësh në Zyrën Ovale një grup klerikësh…
“Edhe të pasurit qajnë në kohë lufte.” Konflikti i fundit në Lindjen e Mesme po…