Instituti Federal i Vaksinave në Gjermani ka njoftuar se e ka miratuar testimin e parë në njerëz të një vaksine kundër sëmundjes Covid-19.
Në pjesën e parë të këtij testimi do të marrin pjesë 200 persona të shëndoshë nga mosha 18 deri në 55-vjeçare dhe ata do t’i marrin disa nënlloje të vaksinës.
Vaksina që do të testohet është prodhuar nga kompania “BoNTech2”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, shkencëtarët në disa shtete janë duke punuar intensivisht për të gjetur sa më shpejt një ilaç kundër koronavirusit. Në Shtetet e Bashkuara është duke u testuar substanca hidroksiklorokinë, ndërsa edhe shkencëtarët britanikë të enjten do t’i nisin testimet e para.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që vendet të mos nguten për t’i larguar masat kufizuese deri në gjetjen e një ilaçi efektiv dhe ka konfirmuar se deri më tani nuk ka dëshmi shkencore se ndonjë ilaç i mëparshëm e shëron sëmundjen e re.