Instituti serb i Shëndetit Publik e sheh Luginën e Preshevës si pjesë të Kosovës, nuk e dinë sa teste për Coronavirus janë bërë atje

Zëvendës drejtoresha i Institutit serb të Shëndetit Publik, Darija Kisiq Tepavqevic, Preshevën dhe Bujanovcin, komuna në Serbi, të banuara me shqiptarë, po i konsideron pjesë të Kosovës.

Të paktën, kështu ajo iu është referuar këtyre komunave, në një deklarim publik, me anë të një konference për media.

Ajo, e pyetur nga gazetari i portalit ‘PreshevaPress’ rreth numrit të testeve që ka kryer Instituti serb në territorin e komunave të banuara me shumicë shqiptare, Preshevës dhe Bujanocit, ka refuzuar të japë shifra.

Kjo pasi sipas Darija Kisiq Tepavceviq, nuk ka njohuri rreth pozitës gjeografike të Preshevës dhe Bujanocit, dhe thotë se ka mungesë të informacioneve për territorin e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Sa i përket pyetjes, e cila i referohet pjesës së vendit tonë në Kosovë, Presheva dhe komuna e Bujanocit, në këtë moment nuk di të ju them numrin e saktë të testeve të bëra, por e di se po punohet gjithashtu intensivisht në hulumtimet epidemiologjike, testime po bëhen intensivisht kështu që në një konferencë të ardhshme për gazetarë do të ju prezantojmë numrin e saktë të testimeve edhe të rasteve të konfirmuara sipas regjioneve në këtë pjesë të vendit tonë”, tha specialistja mjekësore serbe, e cila së fundi po kryen rolin e zëdhënëses së Institutit shëndetësor të Serbisë dhe shtabit të krizave të Serbisë për menaxhimin e krizës së pandemisë së Covid19.

 

Ndryshe, Në Serbi ka shkuar në 99 numri i të vdekurve nga COVID-19, Të testuar, gjithsej, atje janë 26.227 persona.

Për herë të parë në 24 orët e kaluara janë testuar më shumë se 3000 mostra.