Organizata për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), organizatë e gazetarëve investigativë që shtrihet në të gjithë botën, ka botuar së fundmi një raport, ku ngre dyshime të forta për një nga njerëzit më të rëndësishëm në biznes dhe politikë në Shqipëri, Tom Doshin.
Sipas publikimit të OCCRP-së, agjencia më e lartë e inteligjencës kriminale e Australisë dyshon se Tom Doshi drejtoi një grup kriminal që kryente kontrabandë me emigrantë, trafik droge dhe pastrim parash.
Aty përmendet edhe lidhja e afërt e Doshit që ka me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Grupi, që dyshohet se udhëhiqej nga Doshi, pati anëtarë kryesisht nga Shkodra. Siç shkruan OCCRP, bazuar në raportet e inteligjencës australiane, njerëzit nga Shkodra kanë abuzuar sistematikisht me sistemin e emigracionit të Australisë për ta ndërtuar “një strukturë të tërë kriminale shqiptare të krimit të organizuar” në të gjithë Australinë e Jugut.
Dokumentet, të kryera nga Komisioni Australian i Inteligjencës Kriminale (ACIC) dhe të shpërndara në agjencitë policore vendase dhe të huaja, bazohen në raporte të shumta nga forcat e policisë lokale dhe informacione nga organet e huaja.
Dokumentet përshkruajnë se si, që nga viti 2000, klanet shqiptare kanë përdorur identitetet e rreme dhe lidhjet familjare me agjentët e migracionit për të zhvendosur njerëzit e tyre në Australi, duke bërë vend në Adelaide, Melburn, Perth dhe gjetkë.
Doshi përshkruhet në dosje si “kreu” i një sindikate “që përbëhet kryesisht nga familja e tij e gjerë”. Ndonëse dokumentet nuk përmbajnë detaje rreth aktiviteteve të tij specifike, ato theksojnë se tetë nga të afërmit e tij kanë qenë “të përfshirë në hetimet për pastrimin e parave dhe drogës”. Të afërmit e tij thuhet në raporte se kanë marrë viza australiane duke përdorur dokumentacion të rremë. Njëri përballet me akuzat për trafik droge.
Doshi, i cili kaloi vite në të dy vendet [Shqipëri & Australi], nuk është akuzuar për asnjë krim në Australi. Në Shqipëri, ai kishte ndërtuar një perandori biznesi që ka përfituar shumë nga kontratat shtetërore. Ai u caktua persona non grata nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 për “përfshirje në korrupsion të rëndësishëm” dhe u detyrua të largohej nga detyra e deputetit në vitin 2021 pas viteve të skandaleve të profilit të lartë. Përfshirja e tij në rrjetin kriminal australian nuk është zbuluar kurrë më parë.
“Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë i përfshirë në asnjë mënyrë me kontrabandën e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, trafikun e armëve, pastrimin e parave, apo emigracionin e paligjshëm në Australi, apo Shqipëri apo kudo tjetër”, ka shkruar Doshi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. “Në fakt, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kam qenë mbështetës i fuqishëm i luftës kundër këtyre aktiviteteve”.
“Nuk kam asnjë lidhje me asnjë ‘klan kriminal’ shqiptar me bazë në Australi, apo me ndonjë kriminel shqiptar kudo. Vëllezërit e motrat e mia dhe fëmijët e tyre janë gjithsej 33. Unë kam pak ose aspak kontakt me ta përveçse i takoj në funerale apo festime familjare”, ka shkruar Doshi.
Doshi ishte pjesë e Partisë Socialiste deri në vitin 2015, kur pas përplasjeve me liderin e partisë, Ramën, u largua nga sigla e socialistëve. Më pas, ai e krijoi Partinë Socialdemokrate – të cilën e udhëheq vetë. Që atëherë, marrëdhëniet e tij me Ramën janë përmirësuar dukshëm. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2021, PSD-ja e Doshit hyri në koalicion me PS-në e Ramës.