“Intimiteti me gruan është akt adhurimi”, Myftiu që flet hapur për seksin në martesë

Ismail Ibn Musa i njohur si myftiu Menk, ka folur për rëndësinë dhe përfitimin e intimitetit seksual në një martesë, gjë që ndodh rrallë, për të mos thënë fare, në vendin tonë.

Përmes ligjeratës së tij, ai shpjegon sesa akt adhurimi është seksi, madje ka treguar edhe një histori të vërtetë dhe shumë qesharake.

Në videon e mëposhtme, myftiu ndër të tjera ka treguar se ka pasur njerëz që kanë shkuar tek ai duke u ankuar se nuk kanë pasur intimitet për dy vjet, dhe kjo e ka bërë myftiun të habitet, njofton Klankosova.tv.

“Nëse ajo po plaket dhe ti po plakesh, duhet të shikosh, duhet të vlerësosh dhe të pranosh që duhet të thuash fjalë të mira, provoje sot në shtëpi. Do të vlerësohej kaq shumë pasi shumë prej neve na mungon romanca në shtëpitë tona. A e dini që kam pasur njerëz që kanë ardhur të ankohen duke thënë se nuk kanë pasur intimitet për dy vjet dhe unë jam si ‘O Zot’, pyes veten se çka po ndodh. Ju duhet të përpiqeni vëllezër dhe motra”.

“Të kesh intimitet me bashkëshortin/en tënd/e është një akt adhurimi dhe një akt bamirësie”, thotë më tej myftiu.

“Një ditë, Allahu e mëshiroftë këtë njeri në xhenet, ai ka ndërruar jetë. Imami u pati vonuar pak për namaz, shumë pak minuta, dhe e dini se çfarë ndodh me imamët, normalisht ju keni njerëz prapa dhe ata të gjithë do thonë ‘je vonuar’, ai u ngrit dhe tha vëllezër isha i angazhuar në një akt tjetër adhurimi. Ai tha se ka ardhur nga ibadeti në ibadet, është fakt dhe a e dini çfarë? Ata që e kuptuan e dinin se çfarë po thoshte. Askush nuk e tha asnjë fjalë dhe nga ajo ditë ai ishte heroi i të gjithë të rinjve”, tha myftiu teksa foli për historinë e vërtetë të një imami.

“Shumë njerëz bëjnë haram dhe për këtë arsye ata janë të verbër për bashkëshortet e tyre, ju e dini kur ne themi ‘të dua’ dhe ‘të adhuroj’ dhe ne dërgojmë këto mesazhe sepse kemi turp të tregojmë tonat sepse po i dërgojmë në gabim. Njerëz nëse do të përdorni gjysmën e mesazheve haram në mënyrë hallall do të kishit familjen më të lumtur”, thotë myftiu Menk.

Ai poashtu teksa ju drejtohej burrave që po ndiqnin ligjeratën e tij, u thotë t’i respektojnë gratë e tyre të cilat kanë sakrifikuar shumë për ta.

“Më kujtohet një burrë që më tha gruaja ime është pak jashtë formave. Subhanallah, vëlla ti dukesh si derr, ti merakosesh sesi duket bashkëshortja juaj, por a merakosesh sesi dukesh ti, është sikur burri t’i tregojë gruas beli yt pak i trash, ajo thotë e di sepse jam nënë, shikoje pak tëndin, është shumë më i trash dhe ai t’i thotë, unë jam baba”, tha Menk, teksa shtyu të gjithë të pranishmit të qeshnin me lot.

Ismail ibn Musa i njohur si Myftiu Menk, është një dijetar islamik nga Zimbabveja. Ai është Myftiu i Madh dhe kreu i departamentit të fetvave të komunitetit mysliman të Zimbabvesë, që përfaqëson më pak se 1 për qind të popullsisë totale të vendit.

Menk është emëruar si një nga 500 myslimanët më me ndikim në botë nga Instituti Mbretëror Aal al-Bayt për Mendimin Islam në Jordani në vitet 2013, 2014 dhe 2017.

Menk u lind më 27 qershor të vitit 1975 në Harare nga prindër emigrantë indianë në Gujarat, ku ai nisi studimet fillestare me babanë e tij, Moulana Musa, duke mësuar përmendësh Kuranin dhe duke mësuar arabisht. Ai shkoi në kolegjin St. John (Harare) për shkollë të lartë, më pas ai përfundoi arsimin e tij fetar dhe kursin e myftiut nga Kantharia Darul Uloom që ndodhet në Gujarat, Indi.

Menk kundërshton terrorizmin dhe ka premtuar ndihmën e tij në frenimin e ekstremizmit fetar në Maldive. Më 31 mars 2018, ai u bëri thirrje myslimanëve liberianë të shmangin dhunën myslimano-kristiane, duke argumentuar se myslimanët dhe të krishterët janë vëllezër dhe motra nga një baba, profeti Adam. Ai fajëson mediat perëndimore se kanë mashtruar botën se myslimanët janë terroristë.

Në anën tjetër, Huffington Post e ka përshkruar Menk si një “predikues islamik haptazi homofobik” i cili e ka denoncuar aktin e homoseksualizmit si “të ndyrë”. Në vitin 2013, ai duhej të vizitonte gjashtë universitete britanike – Oksford, Leeds, Leicester, Liverpool, Cardiff dhe Glasgow, por turneu i fjalimit u anulua pasi sindikatat studentore dhe zyrtarët e Universitetit shprehën shqetësimin për pikëpamjet e tij. Deklarata e diskutueshme e Menkut përfshinte këto fjalë: “Si mund të përfshiheni në akte imoraliteti me të njëjtën gjini. Kur’ani thotë qartë se është e gabuar ajo që po bëni. Allahu tregon se sa e ndyrë është kjo. Me gjithë respektin për kafshët, homoseksualët janë më keq se kafshët”.

Kjo ishte vetëm njëra ndër ligjëratat e shumta të këtij myftiu i cili në YouTube numëron më shumë se 3 milionë e 500 mijë abonentë.

Poashtu, videot në kanalin e tij zyrtar kanë miliona shikime.