Qeveria shqiptare ka miratuar sot marrëveshjen që i hap rrugë modernizimit të bazës ushtarake të Kuçovës, projekt që do të financohet nga NATO. Kjo marrëveshje lejon Agjencinë e Mbrojtjes dhe Prokurimit të NATO-s për realizimin e këtij projekt që pritet të përfundojë në vitin 2022.
“Miratimin, në parim, të marrëveshjes për mbështetje teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Aleanca ushtarake e Atlantikut të Veriut planifikon të investojë 51 milionë euro për modernizmin e bazës ajrore në Kuçove, në mënyrë që të jetë funksionale sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s. Pjesë e investimeve përfshihet ndërtimi depoje karburanti dhe municionesh. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg e ka konsideruar këtë investim si zotim për Shqipërinë dhe rajonin, për të rritur sigurinë.