Një vendim i zyrtarëve irakianë për të rrënuar një minare 300-vjeçare që është atraksion turistik në qytetin Basra, ka nxitur pakënaqësi të komunitetit lokal.
Për tre shekuj, xhamia al-Siraji mbeti një tipar dallues në Irakun jugor, por guvernatori i Basrës, Asaad al-Eideni, ka thënë se zyrtarët vendosën ta shembnin minaren e saj, e krijuar nga tulla të gërryera dhe pllaka qeramike blu, për të zgjeruar një rrugë që qyteti ndërtoi pasi xhamia veçse ishte ndërtuar.
“Veprimet e autoriteteve zyrtare i kanë dhënë fund trashëgimisë tonë”, ka thënë Jaafar Jotheri, asistent profesor në Universitetit Al-Qadisiyah për AP.
Zyrtarët kanë thënë se minarja pengonte rrugën, por Jotheri insistoi se: “Minarja ishte para rrugës aty dhe është një nga zonat më të vjetra në Basra”.
“Në shtetet tjera, ata mbrojtën edhe një pemë gjatë zgjerimeve të rrugës”, ka thënë Ali Hilal, fotograf irakian që promovon zonat historike në Irak. “Pse ne shkatërruam një zonë tre-shekullore për ta zgjeruar një rrugë?”
Pavarësisht reagimeve, guvernatori i Basrës lajmëroi se kishte leje për shkatërrimin e minares, e cila u shkatërrua mëngjesin e së premtes, 14 korrik.