“Irani do të sulmojë kampin e muxhahedinëve në Shqipëri me drone dhe raketa”

Një agjenci lajmesh iraniane e afërt me Gardën Revolucionare ka deklaruar se Irani po synon të sulmojë grupin opozitar Mujahedin-e Khalq (MEK) – me bazë në Shqipëri – me drone dhe raketa.

“Përdorimi i dronëve sulmues dhe raketave balistike të Iranit për të goditur selinë e MEK-ut në Shqipëri nuk përballet me asnjë ndalim ligjor dhe autoritetet e Teheranit duhet të vendosin në rendin e ditës veprimet ushtarake, pasi të lëshojnë paralajmërimin e nevojshëm për Qeverinë shqiptare”, tha agjencia e lajmeve Fars, cituar nga prestigjiozja “Reuters”.

MEK-u javën e kaluar shtyu një takim në Shqipëri, duke thënë se ai u bë me kërkesë të zyrtarëve shqiptarë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë kishte paralajmëruar veçmas në Twitter për një “kërcënim të mundshëm”.

Kështu, Samiti Botëror i “Iranit të Lirë” i planifikuar për t’u mbajtur më 23 dhe 24 korrik në kampin Ashraf 3 në Manëz të Durrësit, është shtyrë deri në një njoftim të dytë.

Anëtarët e MEK-ut kanë qenë në vëmendjen e regjimit iranian liderët e të cilit, e kanë përmendur Shqipërinë si strehuese të terroristëve.

 

Çfarë përfaqëson MEK-u?
MEK, i njohur gjithashtu si Organizata e Muxhahedinëve të Popullit Iranian, është krijuar në Iran në vitin 1965 nga një grup studentësh radikalë që ndërthurën marksizmin dhe islamin.

Themeluesit janë tre studentë: Mohammad Hanifnejad, Said Mohsen dhe Ali Asghar Badizadegan. Massoud Rajavi u bë udhëheqësi i lëvizjes vite më vonë dhe do të mbetet i tillë deri në 2003, vit kur humb çdo gjurmë e tija, duke lënë pas misterin.

Anëtarët e MEK-ut ishin ndër të parët që zhvilluan luftën e armatosur kundër Shahut dhe amerikanëve të shumtë të pranishëm në atë kohë në vend.

Ata mbështetën gjerësisht sulmin ndaj ambasadës amerikane në Teheran në vitin 1979 dhe kundërshtuan me vendosmëri vendimin për lirimin e pengjeve në vitin 1981.

Ndërmjet viteve 1980 dhe 1981, Irani përjetoi një sezon politik të terrorit të vërtetë, shënuar si nga spastrimet e regjimit të porsalindur, ashtu edhe nga sulmet dhe atentatet e shënjestruara ndaj Iranit nga muxhahedinët.

Në vitin 1981, një sulm nga MEK fshin liderët e Republikës Islamike: 70 oficerë vriten, duke përfshirë presidentin e atëhershëm iranian Mohammad-Ali Rajai dhe kryeministrin Mohammad-Javad Bahonar.

Udhëheqësi Suprem aktual, Ali Khamenei, do të plagosej rëndë në atë atentat dhe do të humbiste përdorimin e krahut të djathtë.

Pas atij episodi, udhëheqësit e Muxhahedinëve, përfshirë liderin Masoud Rajavi, u strehuan në Paris, ku themeluan Këshillin Kombëtar të Rezistencës Iraniane (NCRI), ombrellën politike pas së cilës qëndron MEK.

Në vitin 1986, Franca dëboi Rajavin dhe MEK-un, të cilët u strehuan në Irakun e Sadam Huseinit, atëherë në luftë me Iranin.

Nga atje, muxhahedinët do të marrin pjesë në luftë në anën e Sadamit, duke ndihmuar regjimin irakian të identifikojë objektivat iraniane për të goditur duke organizuar sulme reale përtej kufirit.

MEK-ët qëndrojnë në Irak si mysafirë të Sadamit, i cili u jep para, armë dhe mjete ushtarake, deri në vitin 2003, viti i rënies së regjimit.

Edhe pas vitit 2003, selia e muxhahedinëve mbetet në Irak, në kampin Ashraf dhe më pas nga viti 2011 në kampin Huriyah.

Në vitin 2012, Shtetet e Bashkuara e hoqën grupin nga lista terroriste dhe nëpërmjet UNHCR-së arritën një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të pritur 3 mijë e 500 anëtarët e tij nga kampet irakiane në Shqipëri, bazuar në një status të veçantë.