Tensionet mes Iranit dhe Azerbajxhanit janë rritur së fundi për tri arsye: ushtrimi i përbashkët ushtarak i Azerbajxhanit me trupa turke dhe pakistaneze rreth 500 kilometra nga kufiri me Iranin, kufizimet që Azerbajxhani ua ka vendosur kamionëve iranianë për të arritur në Armeni e arrestimi i dy shoferëve si dhe lidhjet e Azerbajxhanit me Izraelin.
Përktheu: Nasuf Abdyli
Të premten, Irani i shtoi këto tensione duke i nisur ushtrimet e veta ushtarake afër kufirit me Azerbajxhanin, disa ditë pasi Rojat Revolucionare, njësi elite e ushtrisë iraniane, dërguan pajisje ushtarake në rajon.
Ky veprim është pritur me shqetësim nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili këtë javë tha se është i befasuar nga planifikimi i ushtrimeve iraniane, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Gazeta Express.
“Secili shtet mund të kryejë ushtrime ushtarake në territorin e vet. Është e drejtë e tyre sovrane. Por pse tash dhe pse në kufirin tonë”, tha presidenti i Azerbajxhanit. Ai theksoi se kjo është hera e parë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik 20 vite më parë që Irani ka planifikuar shfaqje të tillë të forcës aq afër kufirit me Azerbajxhanin.
Zyrtarët iranianë reaguan duke thënë se vendimi për të zhvilluar ushtrime ushtarake është çështje sovrane, por të tjerët e kanë lidhur këtë veprim me praninë e Izraelit në Azerbajxhan.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir – Abdollahian, tha se Teherani ka të drejtë që të mbajë ushtrime ushtarake dhe e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve që kanë kufi të përbashkët prej 700 kilometrash.
“Ne nuk i tolerojmë praninë e aktivitetin kundër sigurisë tonë kombëtare të regjimit zionist (Irani i referohet me këtë term Izraelit) afër kufijve tanë dhe do të ndërmarrim çfarëdo veprimi të nevojshmë në këtë aspekt”, tha kryediplomati iranian në takimin me ambasadorin e ri të Azerbajxhanit të enjten.
Komandanti i forcave tokësore të Iranit, Kioumars Heydari, duke folur gjatë ushtrime, gjithashtu la të kuptohet se Azerbajxhani ka lidhje me Izraelin. “Që nga arritja e këtij regjimi, ndjeshmëria jonë ndaj këtij kufiri është rritur dhe aktivitetet e tyre këtu janë plotësisht nën vëzhgimin tonë”, tha ai.
Në ushtrimet e forcave iraniane po përdoren artileri, dronë dhe helikopterë. Këto ushtrime po mbahen vetëm disa ditë pas ushtrimeve të përbashkëta mes Azerbajxhanit, Turqisë dhe Pakistanit, të cilat filluan më 12 shtator në Baku.