Pranë një maje në malet Zagros në Iranin qendror, një grup punëtorësh janë duke ndërtuar një objekt bërthamor aq thellë në tokë sa vlerësohet se mund të shkojë përtej rrezes së një arme të fundit amerikane të projektuar për të shkatërruar zona të tilla.
Vlerësimi është bërë nga ekspertët pas analizimit të imazheve satelitore.
Fotot dhe videot nga Planet Labs PBC tregojnë se Irani ka gërmuar tunele në malin pranë vendit bërthamor të Natanzit, i cili është përballur me sulme të përsëritura sabotazhi në një kohë kur Teherani “përplaset” me Perëndimin për programin e tij atomik.
Teksa Irani po prodhon uranium në nivele që u afrohet armëve pas prishjes së marrëveshjes së tij bërthamore me fuqitë botërore, këto punime nderlikojnë përpjekjet e Perëndimit për të ndalur vendin në zhvillimin e mundshëm të një bombe atomike pasi diplomacia mbi programin e tij bërthamor mbetet e bllokuar.
Përfundimi i një objekti të tillë “do të ishte një skenar makthi që rrezikon të ndezë një spirale të re përshkallëzuese”, paralajmëroi Kelsey Davenport, drejtoresha e politikës së mospërhapjes në Shoqatën e Kontrollit të Armëve me bazë në Uashington.
Ndërtimi në vendin e Natanzit vjen pesë vjet pasi ish-presidenti Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga marrëveshja bërthamore.
Trump argumentoi se marrëveshja nuk trajtonte programin e raketave balistike të Teheranit, as mbështetjen e tij për milicitë në të gjithë Lindjen e Mesme më të gjerë.
Por ajo që bëri në fakt ishte kufizimi i rreptë i pasurimit të uraniumit të Iranit në pastërtinë 3.67%, mjaftueshëm i fuqishëm për të fuqizuar termocentralet civile dhe për të mbajtur rezervat e tij në vetëm rreth 300 kilogramë.