Ish-deputetët e PDK-së për mëditje e hotele shpenzuan mbi 39 mijë euro

Mbi 39 mijë euro kanë shpenzuar ish-deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, nga shkurti deri në gusht të këtij viti për vizitat zyrtare në vende të ndryshme.

Në bazë të të dhënave të siguruara pas kërkesës për qasje në dokumente publike, 39 mijë e 227 euro e 71 cent është bilanci i shpenzimeve të 17 deputetëve të PDK-së, për mëditje, akomodim në hotel, dreka e darka, raporton KTV.

Kampion si në vizita jashtë vendit ashtu edhe për shpenzime, është ish-nënkryetari I Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, me afro 9 mijë e 470 euro shpenzime.

Për rreth 6 muaj, Haliti ka marrë rreth 3 mijë euro mëditje, derisa për akomodim ka shpenzuar mbi 5 mijë e 587 euro.

Pas Halitit, renditet i pari i PDK-së, Kadri Veseli.

Nga vizitat e tij në Amerikë, Japoni, Itali, Bullgari, Maqedoni e vende te tjera, Veseli ka marrë mëditje mbi 1 mijë e 276 euro, derisa është akomoduar në hotele, në të cilat janë paguar rreth 4 mijë euro. Kurse për shpenzime të tjera, si bileta, dreka e darka, janë shpenzuar mbi 3 mijë euro.

Krahas Halitit e Veselit, edhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, nuk është kursyer sa u përket udhëtimeve jashtë vendit.

Izmaku nga udhëtimet e bëra, ka marrë mbi 3 mijë e 400 euro mëditje, derisa për akomodim gjatë këtyre udhëtimeve, ka shpenzuar rreth 2 mijë euro, e që në total kalon shifrën prej 5 mijë eurosh.

Koleges së saj, për nga shpenzimet i është bashkuar edhe Safete Hadërgjonaj, ish-nënkryetare e komisionit për Buxhet dhe Financa, e cila në total ka shpenzuar mbi 2 mijë e 800 euro, prej të cilave mbi 1 mijë e 800 për akomodim e rreth 1 mijë për mëditje.

Pas Hadërgjonajt, renditet ish-deputetja, Blerta Deliu-Kodra, me mbi 2 mijë e 500 euro, prej të cilave mbi 1 mijë e 200 euro të shpenzuara në akomodim e rreth 1 mijë euro mëditje.

Megjithatë, jo të gjithë kishin fatin, të marrin me mijëra euro mëditje nga vizitat jashtë vendit.

Ndër deputetët me më së paku mëditje të marrë gjatë periudhës shkurt-gusht 2019, është Luljeta Veselaj Gutaj, e cila ka marrë pak më shumë se 150 euro, pastaj Fadil Beka me 180 euro.

Njohës të punës së Kuvendit, thonë se sa u përket shpenzimeve të bëra, mungon transparenca.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, shton se përveç shpenzimeve, nuk dihen rezultatet e vizitave të deputetëve nëpër botë.

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, përveç shpenzimeve të shumta, është karakterizuar me numër të madh të seancave të jashtëzakonshme e mungesë të deputetëve në shqyrtimin e ligjeve të ndryshme.