Një ish i burgosur politik ka gjetur “shtëpinë” poshtë urës së Lezhës. 66-vjeçari Ndue Murçaj, i cili është nga fshati Gryk Lumi është shprehur se është i sëmurë dhe se ka mbetur jashtë duke sajuar në këtë mënyrë “shtëpinë” e tij poshtë urës së Drinit në hyrje të Lezhës.
Ai thotë se pavarësisht statusit si ish i burgosur politik nuk ka përfituar asgjë. Madje edhe pensionin thotë se ka gjashtë muaj që nuk ja japim me argumentin se ndodhet në verifikim. Murçaj jeton i vetëm pasi nuk ka familje dhe kërkon mbështetje pasi po jeton në mes të të ftohtit.
“Jam hallexhi, fukara. Kam bërë 14 vite burg. Jam i sëmurë, më kanë bërë operacion që në ’71 dhe jam gjysmë njeri. Kam 3 muaj e gjysmë që jetoj nën urë. Edhe një batanije ma kanë fal. Edhe ushqim dal e lyp çfarë më japin. Jam i sëmurë, edhe nga ana mendore nuk jam fort mirë.
Kërkoj ndihmë prej shtetit të më japin paratë e burgut që më takojnë dhe të më japin pensionin, se kam 6 muaj që kam mbushur moshën”, tha 66-vjeçari. Pas sinjalizimit nga mediat në lidhje me rastin, Shërbimi Social në Bashkinë Lezhë është vënë menjëherë në lëvizje por ende nuk ka mundur që të gjejë zgjidhje.