Ish-prokurori Agron Matjani është gjetur i vdekur mëngjesin e sotëm në banesën e tij në Prizren.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
“Familjarët e viktimës kanë raportuar se i njëjti është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar i Emergjencës që ka dalë në vendin e ngjarjes”.
Osmanollaj ka thënë se ky rast është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, derisa ka shtuar se njësitet relevante të policisë, Forenzika dhe prokurori janë duke u marrë me rastin.
Sipas tij, me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Për ish-prokurorin Agron Majtani ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Sipas Prokurorisë, i njëjti në cilësinë e personit zyrtar – Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë – me dashje e kishte keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit.
Ai dyshohej se e kishte keqpërdorur pozitën në atë mënyrë që me rastin e ngritjes së aktakuzës, në disa raste penale, në mënyrë drastike e kishte zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, ashtu që për kryesit e veprave kishte siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.