420 vdekje të reja në 24 orë dhe 94 të shtruar më pak në repartet e kujdesit intensiv. Italia shënon çdo ditë progres në betejën kundër Covid-19.
Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, të sëmurët kanë rënë në më shumë se gjysmën e rajoneve, ndërsa të shëruarit janë mbi 60 000. E vetmja e dhënë negative e kësaj të premteje ishte rritja e rasteve në qytetin e Milanos.
Gjithashtu, bilanci total prej mbi 25 900 të vdekurish është dëshmi e një plage që do të jetë e vështirë të kurohet.
Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza iu drejtua qytetarëve me një mesazh pozitiv, duke thënë se kurba e pandemisë është ulur ndjeshëm dhe se tani mund të shohin me besim drejt së ardhmes. E megjithatë, paralajmëron se për sa kohë virusi është në qarkullim, beteja nuk do të jetë e fituar.
Instituti i Lartë i Shëndetësisë tha të premten se epidemia në Itali, me shumë gjasë, ka nisur që prej muajit janar e mbase edhe më herët. Sipas ekspertëve, qindra raste me simptomat e Covid-19 janë evidentuar para muajit shkurt.
Ndërkaq, qeveria Conte ka përvijuar planin e fazës së dytë të rihapjes. Nga 27 prilli hapen fabrikat e makinave bujqësore, nga 4 maji kantiere e pikat e llotove, në 11 maj do te jetë radha e dyqaneve të veshjeve e nga 18 maji do të mund të ngrenë qepenët edhe baret e resotrantet.