Izraeli ka intensifikuar sulmet me raketa në Bejrut, ndërsa gjatë së premtes u sulmua edhe selia qendrore e Hezbollahut. Madje, Izraeli u shpreh se vështirë që lideri i grupit, Hassan Nasrallah, të jetë gjallë pas këtij sulmi.
Megjithatë, një burim i afërt me grupin kishte thënë se Nasrallah është mirë, ndërsa agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se ai është në një vend të sigurt.
“Disa minuta më parë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kryen sulme precize në selinë qendrore të organizatës terroriste Hezbollah… duke ndërmarrë veprim të nevojshëm për të mbrojtur popullin tonë, në mënyrë që familjet izraelite të mund të jetojnë të sigurt në shtëpitë e tyre”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, pas sulmit.
Ushtria izraelite më pas tha se ka kryer sulme të mëtejme ndaj Hezbollahut, pas sulmeve fillestare në selinë e grupit, duke shtuar se po vazhdon të “degradojë dhe shkatërrojë” aftësitë e Hezbollahut.