Afro 15 milionë kilogram grurë nga Serbia janë futur në Kosovë që kur është hequr taksa ndaj produkteve serbe.
Të dhënat e importit të Doganës së Kosovës dëshmojnë se nga 1 prilli i këtij viti deri më tani janë importuar 13.4 milionë kilogram grurë jo durum në vlerë 2.6 milionë euro dhe 2.3 milionë kilogram grurë durum me afro gjysmë milioni euro vlerë, shkruan gazeta inFokus.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe, të dhënat tregojnë se janë importuar nga ky shtet rreth 2 milionë kilogram miell gruri.
Gazeta inFokus ka raportuar se që nga heqja e taksës për mallrat serbe, në Kosovë janë futur saktësisht 1497 dërgesa.
“Nga data 1 prill e deri tani kemi rreth 12 milion import te produkteve nga Serbia ose rreth 1497 dërgesa derisa nga Kosova për në Serbi kemi eksport rreth 800.000 mije euro”, ka thënë për gazetën inFokus përmes adresës elektronike Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.
Në këto importe dominon industria ushqimore, si dhe ajo kimike, ndërkaq në eksport janë disa produkte bimore dhe industri ndërtimore.