Presidenti rus Vladimir Putin u gjend në një situatë të vështirë në Teheran, kur mbeti i vetëm përballë mediave, në pritje të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Pamjet para takimit të së martës tregojnë Putin duke lëvizur me krahët e kryqëzuar, duke u zhvendosur nga këmba në këmbë dhe duke bërë një seri fytyrash të pakëndshme për kamerat përpara se Erdogan të mbërrinte më në fund.
https://www.youtube.com/watch?v=r9P8Nt51wd4&ab_channel=MadhawTiwariTVAnchor
Se Putin nuk ishte veçanërisht entuziast për pritjen tregoi edhe reagimi i tij kur Erdogan u shfaq në dhomë. Putin, në fakt, i zgjati duart liderit turk përpara se ata të shtrëngonin duart dhe të pozonin shkurtimisht para kamerave.
“Këta 50 sekonda që Erdogan e bëri Putin të priste, duke u dukur i rraskapitur para kamerave, flasin shumë për atë se sa shumë ka ndryshuar që nga Ukraina,” shkroi në Twitter Joyce Karam, korrespondente e lartë në Lindjen e Mesme për organizatën e medias National News.
Edhe pse nuk zgjati aq shumë, është krejt e pazakontë për liderin rus pasi ai ka krijuar një reputacion për të mbajtur liderët e tjerë botërorë në pritje të tij, ndonjëherë me qëllim, edhe disa orë pasi supozohet të fillojnë bisedimet, shkruan Guardian.
Karam e quajti këtë “hakmarrje të ëmbël” nga Erdogan, pasi Putin në vitin 2020 e la liderin turk duke pritur rreth dy minuta para takimit.
Mediat turke raportuan në atë kohë se Erdogan dhe shoqëruesi i tij mbetën të poshtëruar pasi u detyruan të prisnin në një paradhomë, siç shihet në pamjet e publikuara nga mediat ruse.
Disa kanë spekuluar se vonesa e Putin në takimin me udhëheqësit ndërkombëtarë është një politikë e kalibruar psikologjike që shkon prapa në ditët e para të presidencës së tij.
Në vitin 2003, Putin u vonua 14 minuta për të parë mbretëreshën dhe një vit më parë ai mbajti prindërit e fëmijëve të vrarë në një aksident avioni për dy orë në varreza.
Putin ishte një orë vonesë për takimin e tij me Papa Françeskun në Vatikan në qershor 2015. Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA, Donald Trump priti 45 minuta përpara një samiti të planifikuar në Helsinki me presidentin rus.
Në vitin 2014, Angela Merkel priti katër orë e 15 minuta për një takim me Putin, ndërsa Viktor Janukoviq, kur ishte president i Ukrainës, një herë priti katër orë para se të ulej me liderin rus.
Duke qenë se Putin është gjithmonë në kohë për konferencat e shtypit në televizion dhe ngjarjet e planifikuara, supozohet gjerësisht se vonesa e tij në takime me politikanë rusë dhe ndërkombëtarë është një presion i planifikuar psikologjik mbi bashkëbiseduesit.