Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka deklaruar të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se Lista Serbe do t’i humbasë zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Ai ka thënë se kjo parti ka forcë dhe kapacitet për t’i fituar zgjedhjet vetëm kur i kontrollon këshillat zgjedhorë.
“Pra, Lista Serbe ka forcë dhe kapacitet për të fituar vetëm kur i kontrollon plotësisht këshillat zgjedhorë. Për këtë arsye, ata tani janë të pakënaqur, prandaj janë në frikë…Tash nuk munden dhe prandaj do t’i humbin zgjedhjet e 9 shkurtit. Ata më 9 shkurt edhe më tutje do të jenë, individualisht, opsioni më i fuqishëm serb, por çfarë do të fitojnë. Do të fitojnë pesë, në rastin më të mirë, gjashtë mandate. Dhe çfarë do të bëjnë me ato pesë apo gjashtë mandate? Asgjë”, ka thënë Jabllanoviq.
Sipas politikanit serb, ky subjekt politik aktualisht i ka 10 deputetë por “s’ka arritur të bëjë asgjë”.
“Deputetë të Listës Serbe marrin paga prej 2 mijë eurosh, rregullisht, e për serbët, për problemet e serbëve kurrë nuk e kanë thënë as edhe një fjalë. Ata as që kanë provuar që të merren vesh me shqiptarët, asgjë. Në rregull, nuk mund të merreni vesh me këta nga Vetëvendosja, por ekzistojnë në Kuvendin e Kosovës edhe parti të tjera. E keni PDK-në, LDK-në, e keni AAK-në. Unë nuk shoh që Lista Serbe të ketë punuar seriozisht që nëpërmjet marrëveshjes me partitë kryesore serbe ta zgjidhë ndonjë problem serb”, ka thënë ai.
Jabllanoviq: Beogradi ka pranuar në Kosovë një realitet të ri që Lista Serbe s’e ka pranuar
Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka deklaruar të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se Serbia e ka pranuar një realitet të ri në Kosovë, e që sipas tij, këtë s’e ka pranuar as Lista Serbe, si partia më e madhe serbe në Kosovë.
Ai është shprehur Sipas kësaj partie, nëse votohet për ta “jeni tradhtarë”, ndërsa shtoi se për Beogradin ky fakt tashmë ka ndërruar.
“…Komunikimi ynë me Beogradin më nuk varet prej asnjë serbi në Kosovë dhe nuk shkon nëpërmjet Listës Serbe. Dhe kjo do të thotë se Beogradi e ka pranuar një realitet të ri në Kosovë, të cilin Lista Serbe ende nuk e pranon. Për Listën Serbe, nëse nuk votoni për ta, jeni tradhtarë. Jeni të paguar të shqiptarëve apo spiunë të huaj. Për Beogradin, situata tani është dukshëm më ndryshe, e për ne, mendoj, më e favorshme”, ka thënë Jabllanoviq.
Sipas tij, këtë qëndrim më s’e mban Beogradi. Jabllanoviq u shpreh se në politikë duhet të bashkëpunohet me atë që e zgjedh populli.
Jabllanoviq: Lista Serbe ka bërë veprime “vetëvrasëse”
Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka deklaruar se Lista Serbe i ka bërë disa veprime “gati vetëvrasëse” politike, duke u shprehur se kjo bëri që Qeveria e Kosovës “të bënte veprime të njëanshme në veri”.
Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se gati çdo veprim i gabuar i partisë Lista Serbe ndikoi në punët e Qeverisë.
“Ajo gjë që, në ndërkohë, ka ndryshuar dukshëm është se Lista Serbe ka bërë disa lëvizje të gabuara politike, pothuajse vetëvrasëse, dhe këto lëvizje të gabuara politike ia kanë krijuar hapësirën një qeverie nacionaliste në Prishtinë, qeverisë së Albin Kurtit, që në mënyrë të njëanshme të veprojë në veriun e Kosovës. Dhe e kemi parë se ata shpesh veprojnë edhe pa koordinim me diplomatë perëndimorë që janë të pranishëm në Kosovë”, ka thënë Jabllanoviq.
Sipas politikanit serb, qytetarët e komunitetit serb në veri janë të pakënaqur me rolin e Listës Serbe.
“Serbët janë të zemëruar me Listën Serbe pasi që ajo nuk e ka kryer atë pjesë të punës që e pati për detyrë, e kjo është që t’i mbrojë interesat e popullit serb në Kosovë, veçanërisht në veri, ngase ata këtë nuk e bënë pasi me vendimet e tyre të gabuara, katastrofale në fakt, serbët i kanë larguar edhe nga skena politike, dhe fuqinë politike të cilën ne e patëm, ia lanë Albin Kurtit”, ka thënë tutje Jabllanoviq.