Janjiq “gozhdon” presidentin e Serbisë: BE tashmë një kohë të gjatë nuk ka besim në Vuçiqin

Bashkimi Evropian nuk ka më besim te presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilin nuk e sheh si partner të gatshëm të japë atë që i premtoi, ka thënë Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhëniet Etnike në Beograd, në një intervistë për portalin serb Avangard.

“Këto premtime tani janë ngushtuar në dy deri në tri tema. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe kah fundi i sundimit të Millosheviqit: Perëndimi e toleroi Millosheviqin deri në vitet 1993-95 kur e kishte të qartë se nuk ka asgjë prej ndonjë ndryshimi në politikën e tij”, përkujton Janjiq.

Duke komentuar ashpërsimin e retorikës së Brukselit ndaj Beogradit, Janjiq ka thënë se administrata e Brukselit nuk reagon asnjëherë në nivelin ditor, por që kjo nuk do të thotë se problemet dhe përshtypjet nuk grumbullohen dhe depozitohen.

“Merrni qëndrimet e parlamentarëve evropianë, komisionerëve evropianë, madje dhe të vetë ministrit të jashtëm të BE, Josep Borrell. Mesazhet e këtyre njerëzve janë shumë të drejtpërdrejtë. Duket se Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq kanë tepruar, ndoshta jo aq shumë në sharje të BE-së sa në lavdërimin brutal propagandistik të Kinës”, theksoi Janjiq.

“Serbia nuk është e vetëdijshme për gjeopolitikën. Unë po flas për udhëheqjen e saj, e cila ndoshta din diçka, por nuk e kupton. Beogradi ka filluar një luftë të pakuptimtë verbal me Perëndimin, gjë që mund t’i kushtojë shumë Serbisë. Aq më parë se edhe Kina edhe Rusia e kanë shfrytëzar Serbinë, ta vendosin para vetes dhe ta shtyjnë kundër BE-së. Beogradi është futur në një betejë botërore të matjes së forcave të Kinës dhe pjesës tjetër të botës, gjë që është keq për Serbinë”, përfundon analisti serb Dushan Janjiq.