Janjiq: Serbia mundi të marrë edhe më shumë se që kërkoi, Neni 7 më i mirë se Asociacioni

Analisti serb Dushan Janjiq ka vlerësuar se rezultati i takimit të djeshëm në Bruksel ishte i pritshëm dhe se në fakt vetëm tani po nis një proces serioz negociues diplomatik.

Në një prononcim për Kosovo-Online, z. Janjiq është shprehur se Serbia ka fituar më shumë hapësirë për manovrim në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sa i përket jurisdiksionit dhe autonomisë rajonale të veri të Kosovës.

“Ne e morëm atë që duhej të pritej, një hap serioz në drejtimin e duhur,” – është shprehur z. Janjiq.

Më tej, analisti me përvojë u shpreh se procesi pritet të çojë në zhvillimin e Serbisë dhe në anëtarësimin e saj në BE.

Janjiq në deklarimin e tij e vlerësoi edhe skenën politike të Kosovës dhe reagimin e saj për marrëveshjen, në veçanti të opozitës.

“Opozita atje (në Kosovë) ndryshe nga e jona, është unike në pikëpamjen e saj se marrëveshja duhet të zbaohet, e konsideron të dëshirueshme dhe mbi të gjitha një mjet për afrimin e ShBA-ve.” – është shprehur Janjiq.

Ai vlerësoi se Vlora Çitaku pret që të jetë presidente e ardhshme e Kosovës, dhe se e cila “e di shumë mirë se ShBA-ja ka ndryshuar qëndrim dhe se nuk ka njohje reciproke”.

Mirëpo, në anën tjetër, ai ka shtuar se Serbia ka pasur më shumë hapësirë për manovrim, pikërisht shkaku i (sic) keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve të Asociacionit nga ana e Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit.

“Neni 7 i marrëveshjes për Asociacionin parashikon që Asocaicioni, siç është rënë dakord më 2013 dhe 2015, mund të përmirësohet me autonomi serioze, së bashku me pavarësinë dhe statutin e Asociacionit.” – u shpreh Janjiq.

Por, lexojeni edhe fjalinë e mëposhtme:

“Serbia ishte në gjendje të marrë diçka që as nuk e kërkoi, sepse Asociacioni ishte një projekt i ngushtë politik e ideologjik i SNS-së dhe Tomisllav Nikolliqit,” – argumentoi ai.

“Ne kemi një mënyrë për të arritur maksimumin dhe hapësira është e madhe,” – vazhdoi më tej z. Janjiq në deklarimin e tij, duke shtuar se Tadiqi (ish-president i Serbisë, tashmë opozitar) as nuk mund të ketë ëndërruar për një rezultat më të mirë.