Jasharaj: Rritja e pagave është e ulët dhe tepër nënçmuese

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj, ka komentuar rritjen e pagave të punëtorëve të sektorit publik. Ai kritikoi Qeverinë duke thënë se kjo ngritje është e ulët dhe nënçmuese.

Në një intervistë Jasharaj ka thënë se pagat e mësimdhënësve duhet të kenë rritje 30 për qind në kuadër të koeficientit 1. Tutje, ai shtoi se ende po vazhdohet praktika që të mos ketë komunikim ndërmjet sindikatave dhe nivelit qendror.

“Nga komunikimi i parë që kemi bërë me kryetarët e nivelit komunale dhe universiteteve shihet dhe është e arsyeshme. Jemi të zhgënjyer me deklaratën para mediave dhe kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati, ne kemi bërë kërkesë tash e dy muaj drejtuar kryeministrit që të ketë një lëvizje të vlerës së koeficientit për së paku 30 % duke e argumentuar me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe duke bërë përpjeke që punëtorët e arsimit por edhe sektorët e tjerë ta kenë një mbështetje që të përballen më lehtë me çmimet që po ngrite. Ishte i befasishëm deklarimi i djeshëm ngase Kurti e Murati po vazhdojnë me atë praktikën që të mos komunikojnë fare me sindikatat por të sjellin vendime ashtu siç ju teket”, ka thënë Jasharaj.

Kryesindikalisiti i arsimit ka theksuar se ky vendim në këtë kohë, mund të lexohet si deklarim për fushatë elektorale. Sipas tij, Qeveria ka qasje të gabuar, dhe nuk ka disponim për të bashkëpunuar me sindikatat.

“Kemi një premtim se në janar do të ketë lëvizje brenda koeficienteve që dyshojmë që nuk është e mundur ngase që ligji për pagat e ka prodhuar Parlamenti dhe vetëm ai ka të drejtë të ndërhyjë në ligje, ndërsa Murati ka mundur të bëjë më lehtë lëvizjen e ta ngrit koeficientit por ta ngrit tani e jo në janar, sepse janari ka disa muaj dhe nuk dihet se çfarë do të ndodh, nga disa mund të lexohet si një deklarim pranë fushatës sidoqoftë, punëtorët e arsimi dhe jo vetëm janë tepër të pa kënaqur ngase me këtë lëvizje nëse e kthejmë në euro i bie diku 50 euro, ngritje që është tepër e ulët dhe është nënçmuese dhe kam frikë që kjo do të reflektojë tek anëtarësia jonë”, theksoi ai.

“Ne e kemi shpërndarë një formularë në të gjitha institucionet arsimore dhe po presin se çfarë po na thonë anëtarësia. Sepse ata e dinë që ne jemi angazhuar shumë por kemi hasur në problem me qasjen e gabuar të Qeverisë, sidomos është tek ngritja e koeficientit por edhe tek kontrata kolektive, ku siç duhet zonja Nagavci nuk ka disponim që të ulet me ne e të bisedojmë as për çështjet tjera e as për kontratën që është tejet e rëndësishme për sektorin e arsimit por kontrata janë të rëndësishme edhe për kontratat tjera”, deklaroi ai.

“Nëse vazhdohet kështu ne do ta analizojmë vullnetin e anëtarësisë, dhe pastaj do të shohim çfarë do të bëjmë tutje, kam frikë se anëtarësia e zhgënjyer edhe më këtë vendim, do të jetë edhe më kategorike që ne të fillojmë me veprime sindikale dhe do të angazhohemi sa ma pak të bllokohet procesi mësimor, ngase nxënësit nuk janë fajtor pse është kjo situatë e tillë”, shtoi ai.

Tutje, ai ka ritheksuar se kjo rritje, nuk është e mjaftueshme, madje krahasoi pagën e punëtorëve të arsimit në Shqipëri me atë të Kosovës.

Sipas Jasharaj, një mësimdhënës se Shqipëri ka pagën mbi 900 euro, ndërsa lëvizja e pagës për 55 euro në Kosovë, shkakton irritim për punëtorët, raporton EO.

“Nuk është e mjaftueshme sepse është një lëvizje që nuk ndikon shumë, nuk i ndihmon as punëtorëve të arsimit, as policisë e të tjerëve, përballje me inflacionin përballje me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve, e aq më tepër kur edhe mësimdhënësit e tjerë kanë komunikim me shqiptarët e Shqipërisë, dihet publikisht se Qeveria e Shqipërisë, bëri një lëvizje të dukshme të pagave, paga në Shqipëri tek arsimi kanë shkuar në 900 e më shumë euro, kjo lëvizje me 50 euro më tepër i irriton sesa që do t’i gëzojnë punëtorët e arsimit e të tjerët”, përfundoi ai.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka njoftuar se pagat për punëtorët e sektorin publik do të rriten nga janari i vitit 2025.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithsej 110 euro bruto”, ka njoftuar Kurti në konferencë.