Sot u raportua se Qeveria Kurti e kishte ndërmend ta prishte zakonin për ndriçimin e ndërtesës së Qeverisë me ngjyra të ylberit – në shenjë të përkrahjes të komunitetit LGBTI për 17 maj, ditën kundër Homofobisë.
Organizata “Dylberizm” që merret me mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, ka publikuar për media edhe letrën që i ka dërguar kryeministrit Kurti që të shënohej dita Kundër Homofobisë.
Në këtë letër tregohej se si komuniteti në fjalë ishte ende shumë i shtypur dhe i diskriminuar në shoqërinë kosovare, transmeton Express.
“Edhe pse shteti i Republikës së Kosovës qëndron mirë me kornizën ligjore karshi të drejtave LGBTIQ+, ligji nuk zbatohet për t’u vënë drejtësia ndaj rasteve të ngacmimeve kundrejt komunitetit tonë, dhe niveli i homofobisë vazhdon të jetë i madh dhe shqetësues.” – shkruhet ndër tjerash në letër.
Po ashtu, aty kërkohet krijimi i politikave të mira që do të ndihmonin këtë komunitet.
Zyra e kryeministrit edhe pse fillimisht kishte pranuar kërkesën që të ndriçohej objekti i qeverisë, megjithatë më vonë kishte refuzuar duke i kërkuar “opsione të tjera”.
Kryeministri Kurti, megjithëse ka deklaruar se është për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të LGBTI, nuk ka marrë pjesë në asnjërën prej Paradave të Krenarisë që mbahen përvitshëm më 10 tetor.
Nëse më 17 maj nuk do të ndriçohej objekti i Qeverisë me ngjyrat e ylberit, kjo do të ishte hera e parë që do të thyhej një traditë e tillë që ka filluar prej vitit 2014. /Express
Letra e plotë:
I nderuari Kryeministër Albin Kurti,
Shpresojmë që kjo letër ju gjen shëndosh dhe mirë, në këto kohë të vështira.
Jemi Dylberizm, një grup i të rinjve/rejave LGBTIQ+ kosovarë, të cilët/at po punojmë vullnetarisht në edukimin dhe informimin e popullatës së përgjithshme rreth komunitetit LGBTIQ+ nëpërmjet platformave tona online qe dy vite tashmë.
Ju, si kandidat për kryeministër, por edhe si aktivist/kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! keni deklaruar se jeni pro respektimit të të drejtave të komunitetit LGBTIQ+, duke i konsideruar ato si të drejta të garantuara njerëzore.
Duke u bazuar në këto deklarata, në gatishmërinë tuaj për t’u përgjigjur rreth kësaj teme, në planin tuaj qeverisës ku bëni thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut si dhe në luftën tuaj për barazi e drejtësi sociale, ne kërkojmë nga ju:
REAGIM dhe shënim të 17 majit – Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë.
17 maji shënohet gjithandej në botë si Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe
Transfobisë. Në këtë ditë, bëhet thirrje kundër shtypjes, diskriminimit dhe abuzimit ndaj personave
LGBTIQ+, bëhet thirrje për krijimin e politikave në të mirë të këtij komuniteti të margjinalizuar, bëhet thirrje për respektimin e dinjitetshëm të të drejtave LGBTIQ+ etj. Historikisht, komuniteti LGBTIQ+ ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej grupeve më të shtypura, keqtrajtuara dhe përjashtuara nga shoqëria.
Në vitin 2017, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), ka bërë publik një raport sipas të cilit Kosova doli të ishte vendi me homofobinë më të madhe në gjithë rajonin e Ballkanit, ku vetëm 3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta pranonin fëmijën si anëtar të komunitetit LGBTIQ+, derisa 97 për qind, kanë thënë se nuk do t’i lejonin të jetojnë në shtëpi anëtarët e këtij komuniteti.
(www.ndi.org/LGBTI_Balkans_poll)
Tash e disa vite aktivistët dhe organizatat për të drejtat e njeriut po punojnë në promovimin e të
drejtave LGBTIQ+, por prapë ka shumë punë për t’u bërë sidomos në uljen e nivelit të homofobisë.
Fatkeqësisht, në Kosovë ne kemi parë edhe raste direkte të diskriminimit ndaj personave LGBTIQ+ edhe nga vetë institucionet shtetërore [kujtojmë keqtrajtimin e dy personave LGBTIQ+ nga disa policë të Republikës së Kosovës (https://cutt.ly/XyWblf5) si dhe deklarimet e shumta publike homofobike nga politikanë të ndryshëm].
Pandemia ka gjetur shumë prej neve të izoluar në ambiente të pakëndshme, pa pasur mundësinë të jemi vetvetja dhe të sigurt. Në mungesë të një strehe për personat LGBTIQ+, shumë prej neve duhet të përballemi me abuzimin në familje. Përveç kësaj, ne përballemi vazhdimisht me ngacmim, dhunë psikologjike, emocionale dhe me raste edhe fizike.
E: [email protected] F: www.facebook.com/dylberizm I: www.instagram.com/dylberizm
Edhe pse shteti i Republikës së Kosovës qëndron mirë me kornizën ligjore karshi të drejtave LGBTIQ+, ligji nuk zbatohet për t’u vënë drejtësia ndaj rasteve të ngacmimeve kundrejt komunitetit tonë, dhe niveli i homofobisë vazhdon të jetë i madh dhe shqetësues. Ne besojmë se qëndrimi juaj publik pro të drejtave LGBTIQ+ dhe shënimi i kësaj dite mjaft të rëndësishme nga ana juaj, do të ndikonte pozitivisht në dukshmërinë e komunitetit LGBTIQ+ dhe informimin e publikut të gjerë se ne ekzistojmë, jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe kemi të drejtat e barabarta si çdo qytetar tjetër i Kosovës.
Informimi i publikut rreth të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ është i mangët për shumë arsye, ndër të
cilat numërojmë:
– Nivelin e lartë të homofobisë, bifobisë dhe transfobisë në vend;
– Mungesa e literaturës shqip për çështjet LGBTIQ+;
– Gjuha diskriminuese e teksteve shkollore dhe universitare (https://cutt.ly/dyWbiOt);
– Mungesa e diskursit publik dhe diskutimit televiz të mirëfilltë rreth kësaj teme etj;
Zoti Kryeministër, çdo ditë, në platformën e Dylberizm, ne pranojmë mesazhe nga të rinjtë anembanë Kosovës, të cilët nuk kanë as edhe një person me të cilin mund të flasin lirshëm. Shumë prej tyre janë
15-20 vjeç, dhe të cilët për shkak të ngacmimeve të përditshme në shkollë, abuzimit psikologjik në
familje, thirrjeve urrejtëse në opinionin publik, kanë tendeca për vetëlëndim e vetëvrasje. Zoti
Kryeministër, ju keni përgjegjësi shtetërore, profesionale e morale t’i ndihmoni dhe t’i shpëtoni këta të rinjë.
Ne besojmë se duhet të përdoret çdo mundësi për të ngritur vetëdijen publike e për të treguar
përkrahje dhe dukshmëri të një prej grupeve më të shtypura dhe të “padëshiruara” në vendin tonë. Ju,
përmes këtij reagimi të mundshëm, jo vetëm që do të shënonit një hap pozitiv drejt demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, por edhe do të ndikonit pozitivisht në përmirësimin e jetës së
shumë personave LGBTIQ+ si dhe në ndryshimin e perceptimit të personave LGBTIQ+ nga njerëzit që iu
vlerësojnë juve, të cilët janë të shumtë në numër sipas neve e sipas sondazheve. Mos e harroni faktin se
edhe persona të komunitetit LGBTIQ+ janë përkrahës dhe votues tuaj.
Po ju dërgojmë këtë letër duke shpresuar dhe besuar se do të na bashkoheni në luftën tonë të
përbashkët për drejtësi shoqërore.
Me respekt,
Dylberizm
Grup i pavarur i aktivistëve/eve LGBTIQ+ në Kosovë.