Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është kërcënuar me vdekje gjatë ditës së sotme nga një ish-mësimdhënës.
Burime brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës, kanë konfirmuar se ish-mësimdhënësi R.G., (emër i njohur për redaksinë) ka kërcënuar me vdekje Lladrovcin për shkak të një konkursi të brendshëm nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë.
Media ka provuar të marr një konfirmim lidhur me rastin nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, por që i njëjti e ka mbyllur telefonin.
Burime të sigurta kanë bërë me dije se përmes Viber-it, ish-mësimdhënësi i ka thënë Lladrovcit se: “do të shkoj gjaku deri në gu (gju), nëse nuk kanë të drejtë konkurrimi edhe personat jashtë sistemit arsimor në konkursin e brendshëm”.
Prokurori i rastit ka kërkuar arrestimin e ish-mësimdhënësit ku ndaj tij, është vendosur masa prej 48 orëve paraburgim.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme Lladrovci kishte konfirmuar kërcënimin që kishte pranuar. Ai nuk kishte dhënë informacionet të tjera për këtë rast.
“Më 21 janar, kam marrë kërcënime nga një qytetar, të cilat e tejkalonin komunikimin normal që bëj me qytetarët në rrjetin social. Kërcënimet që kam pranuar, i kam deponuar me shkrim pranë organeve të rendit, me qëllim të pengimit apo parandalimit të mëtejmë të tyre”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.