Goditja nga Ukraina e luftanijes kryesore të flotës ruse në Detin e Zi, Moskva, ka kthyer vëmendjen tek politika e Ankarasë që ndalon hyrjen e pjesës më të madhe të anijeve luftarake ruse në Detin e Zi. Analistët thonë se konflikti në Ukrainë po ndryshon ekuilibrin në marrëdhëniet Turqi-Rusi.
Luftanija e Rusisë në Detin e Zi, Moskva, kaloi për herë të fundit në kanalin e Bosforit në Stamboll, para sulmit rus në Ukrainë.
Moskva nuk ishte luftanija e vetme që forcat ruse e humbën në luftë me Ukrainën.
Zëvendësimi i anijeve të shkatërruara bëhet përmes ujërave të kontrolluara nga Turqia.
Por autoritetet turke kanë kufizuar ashpër hyrjen e luftanijeve ruse në Detin e Zi, në bazë të konventës ndërkombëtare të Montreux.
“Turqia mbylli ngushticat, Dardanelet dhe Bosforin, për tranzitin detar rus. Vetëm anijet që i përkasin flotës së Detit të Zi mund t’i përdorin për kthim në bazë ose për tranzit. Në pamundësi për të dërguar anije të reja, ata duhet të përdorin anijet e vjetruara në Detin e Zi, në fushatën kundër Ukrainës”, thotë Yoruk Isik nga Instituti i Lindjes së Mesme.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës pengohet gjithashtu nga dronët e prodhuar në Turqi. Por Moska, me gjithë humbjet e shkaktuara, po përmbahet duke mos kritikuar Ankaranë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov tha këtë muaj se marrëdhëniet me Turqinë janë të shkëlqyeshme.
Këtë javë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bisedoi në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve ndërmjetësuese.
Analistët thonë se refuzimi i Turqisë për të zbatuar sanksionet perëndimore kundër Rusisë, është një arsye pse Moska është e kujdesshme me Ankaranë.
“Ndoshta Rusia nuk do ta izolojë Turqinë si ndërmjetësues i mundshëm dhe si një nga vendet e pakta që janë të gatshme të angazhohen me Rusinë pothuajse si të barabartë, midis të gjitha sanksioneve dhe ndjenjave anti-ruse”, thotë analisti Samuel Bendett.
Në të kaluarën, Rusia përdorte kundër Turqisë praninë e saj ushtarake në Siri, duke kërcënuar me nisjen e një eksodi të ri refugjatësh drejt Turqisë.
Analistët thonë se zoti Putin kishte një avantazh në marrëdhëniet e tij me zotin Erdogan, por lufta në Ukrainë e ka ndryshuar ekuilibrin.
“Tani, Turqia është në pozita më të forta ndaj Rusisë. Rusia bombardonte objektiva të caktuara në Siri ose luftonte në Libi për të shprehur pakënaqësitë ndaj veprimeve të Turqisë. Tani e ka më të vështirë ta bëjë këtë. Ata duan ta ruajnë Turqinë në statusin e saj gjysmë neutral. E duan atë si shpëtimtar të ekonomisë dhe një qendër logjistike”, thotë Asli Aydintasbas nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.
Kalimi i anijeve luftarake ruse në Stamboll është një pamje që i përket të kaluarës, sepse Turqia po zbaton një ndalesë të hyrjes së Rusisë në Detin e Zi – jo vetëm duke vështirësuar sulmin rus kundër Ukrainës – por dhe duke e bërë të qartë se marrëdhëniet e saj me Moskën po arrijnë në një nivel të barabartë./VOA/