Kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Bekë Berisha, së fundmi u përfol për një paraqitje të tij në një lokal të Prishtinës, ku u dyshua se ai ka me vete një armë. Fotoja u komentua shumë në rrjet. Për të sqaruar këtë situatë, ai ka folur në emisionin “Fronatl” në T7.
Ai tha se me vete mban shumë gjësende teksa bën me dije se ai ka armë me leje, por thotë se e mban vetëm në zona malore dhe jo në qytet.
“Kam plot gjëra personale që i mbaj krejt kohën, janë mjete të punës”, tha Berisha në T7, transmeton Express.
“Kjo fotografi supozohet, si duket është përpunu pak, edhe hetimet le të vazhdojnë. Është mirë me hetu”, tha ai për foton, në të cilën u aludua se ka armë me vete.
“Unë kam gjëra personale që i mbaj në xhepin tim, mund të duken ashtu apo kështu, por këto janë gjëra personale. Jemi në kohë fushate dhe dojnë me nxjerrë”, tha ai tutje.
A ke armë në xhep u pyet Bekë Berisha, e në këtë pyetje kandidati për kryetar të Istogut u përgjigj:
“Është mirë me u hetu rasti, nëse u përpunu naj grim është mirë me u hetu edhe ajo. Unë nuk kam ndonjë raport me këtë njeri, me luti me bë një fotografi dhe pastaj doli kjo. U takuam në një lokal në Prishtinë. Është mirë me u marrë edhe prokuroria se çka kam unë nëpër xhepa”, tha ai.
Tutje, ai tha se me vete ka edhe diçka më të dyshimtë.
“Bile kam diçka më të dyshimtë, mirëpo kjo le të mbetet enigmë”, tha Berisha duke qeshur.
Më pas e nxorri një mollë nga xhepi dhe ia dha autorit të emisionit Frontal, Arsim Lani.
Berisha hapi xhepin dhe nxorri gjësendet nga xhepi.
“Një telefon dhe një adapter, kryesisht të njëjtat i kam pas…Unë kam armë me leje, kur jam në zona malore mbaj, por jo nëpër qytet”, tha ai ndër të tjera.