Kancelari Sholc godet, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE para Kosovës, dhe pa e njohur Pavarësinë e saj!

Kancelari gjerman Olaf Sholc ia bëri të qartë Serbisë nga Kosova, se nuk ka rrugë tjetër për asnjë vend që aspiron hyrjen në BE, të mos e njoh një shtet tjetër anëtar të saj.

Me këtë madje, bëri të ditur se sipas konceptimit gjerman, Serbia nuk mund të futet para Kosovës në BE.

“Marrëveshja duhet të zgjidhë edhe çështjen e Kosovës në fund sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të bëhen pjesë e BE-së. Të dyja palët duhet t’i qasen njëra tjetrës”, tha sot në Prishtinë kancelari gjerman Scholz.

Hyrja e Serbisë në BE para Kosovës do të nënkuptonte, rrezikun që ajo sërish të mos e njoh Kosovën, kështu, që ajo nëse don të hyjë para Kosovës, meqë teknikisht ne jemi mbrapa në procedurat e anëtarësimit, i duhet paraprakisht ta bëjë njohjen e shtetit tonë.

Sa i përket modelit të njohjes së Kosovës nga Serbia, Gjermania e ka përvetësuar konceptin amerikan, arritjen e “një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, që përmban njohjen e ndërsjellët. Por, rrugën për arritjen e marrëveshjes e sheh nëpërmjet procesit ekzistues në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, duke shmangur kështu rolin e drejtpërdrejtë amerikan.

“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të çohet përpara. Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse të çojnë në zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane”, ka thënë Scholz sot në Prishtinë.

Mesazhet për “Ballkanin e hapur”

Ai në Prishtinë foli edhe për “Ballkanin e hapur”, duke mos e injoruar në tërësi si në Berlin, në konferencën për shtyp javë më parë me Edi Ramën, por me një gjuhë diplomatike të qartë, edhe pse lakonike për opinionin, la të kuptohet, se pjesëmarrja në “Open Ballkan” as nuk është lëvizje e zgjuar, dhe as në rrugën e duhur.

Pra, një lëvizje, që nuk korrespondon me procesin e anëtarësimit në Bashkim Europian, e cila lëvizjen e tregut, mallrave dhe përgjithësisht “rregullat e lëvizjes”, i ka të përcaktuara qartë nga të gjithë e për të gjithë.

“Sa i takon Open Balkan duhet ta them qartë se për ne prioritet të madh i japim tregut të përbashkët rajonal që duhet të përparojë dhe çështje që janë brenda tij mund të realizohen dhe çohen përpara. Mendoj që është e rëndësishme që të arrihen përparimet që janë të arritshme. Të gjithë duan të shkojnë në BE dhe atje janë rregullat e lëvizjes. Prandaj kushdo që do ti bashkohet BE duhet ti ndjekë ato”, tha Scholz.

Pra, pavarësisht që e përmend prioritetin e përparimit të “tregut të përbashkët rajonal”, ai mund të ketë kuptim, vetëm duke iu nënshtruar rregullave të lojës, që e presin, në procesin e anëtarësimit.

Gjithashtu kancelari Sholc para ardhjes së tij në Prishtinë, ka theksuar se dëshiron ta rigjallëroj Procesin e Berlinit, këtë vit, dhe se një vjeshtë do t’i ftojë për një konferencë në Berlin. Ndërsa, në Prishtinë, e konfirmoi se me Kryeministrin Kurti ka folur edhe për procesin e Berlinit, dhe se pret që me partnerët e këtij procesi të takohen në vjeshtë në Berlin, duke dhënë sërish si alternativë të pashmangshme “Procesin e Berlinit”!

Pavarësisht pompozitetit dhe interpretimit, që ia dhanë disa media, për dallim nga ne, deklarimeve të emisarit special të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Eskobar, ai i theksoi dje dy kushte, të cilat ende janë larg plotësimit: 1. Se Ballkani i hapur nuk ka kuptim, nëse nuk i përfaqëson të gjitha shtetet, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe 2. nëse Ballkani i hapur nuk është i barabartë për të gjitha shtetet anëtare!

Këtë kushtin e dytë e ka të pamundur thuaja ta përmbush Serbia, për shkak të mosnjohjes së Kosovës dhe përpjekjeve për ta penguar shtetin tonë në çdo aspekt, pra edhe të zhvillimit ekonomik e tregtar.

Serbia ende nuk e pranon asnjë dokument identifikimi të Kosovës, as letërnjoftimin dhe as pasaportën, dhe po ashtu as dokumentacionin e mallrave të Kosovës, me vulë shtetërore të Republikës, në këtë mënyrë ajo edhe e bën të pabarabartë Kosovën, si në tregti të jashtme dhe të brendshme.

Për të gjitha këto nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje, as Edi Rama, dhe as presidenti i Serbisë, pavarësisht ftesave të përsëritura për t’ju bashkuar asaj nisme.

Në fakt Edi Rama, nuk e dimë se me çfarë informatash operon, çfarë qëllimi ka dhe ku dëshiron të shkojë, por ajo që dihet tashmë nuk i shërben aspak, shtetndërtimit të Kosovës, dhe normalizimit të jetës së shqiptarëve në Ballkan.

Mungesa e lirisë së lëvizjes

Është e qartë që Edi Rama po e ndihmon më së shumti Serbinë, që të tërheqë investimet ndërkombëtare sa më shumë, sepse duke iu ofruar perëndimorëve një treg prej 20 milionësh, ata më me prioritet e zgjedhin Serbinë se Shqipërinë, dhe thuajse as se çojnë mendjen tek Kosova, për shkak të vetë pengesave që ua nxjerrë Serbia, qoftë edhe për hapjen e një filiale nga atje, pikërisht për shkak të mungesës së lëvizjes së lirë të njerëzve, problemit me dokumentacionin e mallrave e tjera.

Çdo shtetas i huaj, që hyn në Kosovë, nuk mund të hyjë nëpër pikat kufitare të Serbisë. Po ashtu kjo ngjet edhe me shtetasit e Shqipërisë. Që të gjithë duhet të dalin nga Kosova nëpërmjet Maqedonisë ose Malit të Zi, dhe nga andej të futen në Serbi.

Pra, me lëvizjen e lirë, Serbia nuk u ka vënë pengesa vetëm, shqiptarëve të Kosovës, por të gjithë botës së qytetëruar!