Kardinali Marx trondit Kishën: Dorëhiqem, nuk po bëjmë mjaftueshëm kundër abuzimeve seksuale

Me atë emër, vështirë se kardinali Reinhard Marx do t’i shmangej të qënurit protagonist i një revolucioni, por ndoshta bashkëpunëtori i ngushtë i Papa Françeskut deri pak ditë më parë, nuk do të mendonte se kjo tronditje do të vinte në moshën 67-vjeçare.

Kardinali katolik ka deklaruar se dorëhiqet nga roli i tij si kryepeshkop i Mynihut, një nga postet më të rëndësishme të kishës katolike në atë vend, që ai mbante nga viti 2007.

Arsyeja kryesore e vendimit të bujshëm është ajo që Marx cilëson si “pikë e vdekur” në procesin e transparencës së Kishës Katolike ndaj krimeve seksuale krysisht ndaj të miturve që e kanë përfshirë, jo vetëm në Gjermani, në dekadat e fundit

Edhe pse nuk ka asnjë akuzë personale mbi të, Marx në motivimin e tij thotë se ndjen “përgjegjësi institucionale për veprimet e Kishës, dhe dështimet e saj në këtë çështje. Mos kam qenë edhe unë fajtor, në mbrojtjen e reputacionit të Kishës? Më shqetëson fakti që muajt e fundit ka një qasje që përjashton rreziqet sistemike ndaj çështjes, dhe e shndërron përballjen me të kaluarën në një premtim përmirësimi të proceseve administrative”.

Marx nënvizon se ai ndihet ende pjesë e Kishës dhe se do të vijojë të punojë për të, duke shpresuar që “qorrsokaku i sotëm të shndërrohet në një pikë kthimi”.

Sipas një raporti gjerman mbi krimet seksuale vetëm në zonën e Këlnit,  janë mbi 313 rastet e abuzimeve seksuale të dokumentuara brenda Kishës katolike në atë qytet nga viti 1975,  dhe 212 përgjegjësit, ku 63% ishin priftërinj.