Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi së bashku me tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit Ofertave u arrestuan sonte me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Por si arrti Gëllçi që të ngjitej deri në krye të RTSH-së. Ai fillimisht ka punuar si gazetar në Revistën humoristike “Hosteni” dhe më pas në gazetën “Zëri i Populli”, të cilën e drejtoi për disa vjet si kryeredaktor. Ai gjithashtu është themelues i gazetës “24 orë”.
Po ashtu ai ka punuar në struktura të larta të qeverisë Meta në detyrën e drejtorit të Departamentit të Informacionit. Për të ardhur në 6 maj të 2016 kur u emërua drejtor i RTSH-së, post që e mbajti deri më 21 maj të këtij viti. Gëllçi u shkarkua nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.
“Duke patur parasysh se mandati i drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, ka përfunduar më datë 6/05/2021, Këshilli Drejtues i RTSh-së konstaton se çdo vendim i ndërmarrë nga drejtori i Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit të tij përbën shkelje pasi është në tejkalim të kompetencave të tij dhe për të cilat do të mbaje përgjegjësi ligjore.
Për sa më sipër dhe në zbatim të nenit 105 pika 2 të ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në RSH”, Këshilli Drejtues i RTSH-së më votën pro të 8 anëtarëve të pranishëm dhe dy votat kundër të dy anëtarëve të tjerë vendosi që drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi të lirohet nga detyra dhe t’ia dorëzojë detyrën zv.drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, z. Martin Leka”, thuhej në kronikën e RTSH.