Katër të rinj digjen brenda makinës, u përplasën me një betoniere në Fushë-Prezë

Një aksident i rëndë me 4 viktima ka ndodhur në Fushë-Prezë gjatë orëve të para të mëngjesit ku një automjet është përplasur me një betoniere duke shpërthyer më pas në flakë.

Si pasojë e përpjasjes së rëndë me betonieren, makina ka shpërthyer në flakë dhe 4 personat janë djegur brenda, duke mos pasur mundësi të dalin nga mjeti.

Personat që humbën jetë pas zjarrit në automjetin e aksidentuar janë 4 të rinj përkatësisht, drejtuesi  i automjetit 25-vjeçari E.l dhe tre  pasagjerët E.K, 20 vjeç, E.l, 20 vjeç dhe A.l, 22 vjeç.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe zjarrfikës nga Kamza por nuk është shmangur dot ngjarja fatale.

Njoftimi i policisë

Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.

Nga hetimet e kryera rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç.

Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.