Mercenarët rusë nga Grupi Wagner kanë vrarë fëmijë në Bakhmut dhe Soledar. Kjo është bërë e ditur nga dy anëtarë të milicisë, të cilët hynë në grupin Wagner përmes rekrutimit në burg.
Njëri nga të dy, Azamat Uldarov, tha se ai qëlloi në kokë një vajzë 5-vjeçare. “Kam zbatuar urdhrin me këtë dorë, kam vrarë fëmijët, përfshirë pesëvjeçarë”, tha militanti. Së bashku me të, rrëfeu edhe Alexei Savichev.
Azamat Uldarov dhe Alexei Savichev i kanë rrëfyer organizatës ruse për të drejtat e njeriut Gulagu.net, detajet e ekzekutimit të më shumë se 20 fëmijëve dhe adoleshentëve ukrainas, shpërthimin e një bombe me më shumë se 50 të burgosur të plagosur dhe “pastrimin” e ndërtesave të banimit, duke vrarë të gjithë, përfshirë fëmijët.
Sipas dy anëtarëve të Grupit Wagner, urdhri për të “pastruar” Bakhmut pa kursyer askënd kishte ardhur nga kreu Yevgeny Prigozhin.
Savichev shpjegoi se kishte një urdhër sipas të cilit “të gjithë mbi 15 vjeç duhej të pushkatoheshin menjëherë, pa fjalë. U vranë 20-24 persona, nga të cilët 10 ishin 15 vjeç”.
Kur u pyet për civilët e vrarë në Ukrainë në shkurt 2023, Savichev u përgjigj se 15-vjeçarët ukrainas “vështirë mund të quhen civilë” dhe tha se militantët e Wagner do të përballeshin me kërcënime me vdekje nëse do të komunikonin me gazetarët.