Reagime të shumta kanë dalë nga të dy taborët politike sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë Presidentit, Hashim Thaçi. Një prej tyre që ka reaguar ashpër është edhe Alban Krasniqi, bashkëshorti i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan Reporteri.
Alban Krasniqi, bashkëshorti i Ministrisë së Drejtësisë ka paralajmëruar reagim të ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në një postim në Facebook, ai tha se vetëm mbi trupat e tyre mund të kthehet, siç ka thënë ai, ‘krimi në qeverisje. Madje ka shkuar deri aty sa tha se më parë pranon vdekjen e tij se të demokracisë.
“Duhet të kaloni mbi trupa njerëzish që ta riktheni krimin në qeverisje! Krejt ata që kanë shkarravitur në atë vendim skandaloz le ta dinë që nuk u falet! Më parë pranoj vdekjen time sesa vrasjen e demokracisë! Shihemi në shesh, e kudo që na imponohet!”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, në statusin e tij ka pasur edhe komente kërcënuese të cilat ai nuk i ka fshirë.
“As frikë, as respektin nuk ua kemi, ju kemi borxh vetëm plumbin në ballë”, ka shkruar një përkrahës i Vetëvendosjes.
Më tutje ai ka përmendur edhe pushkën e daljen në shesh si shenjë revolte, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.