“Kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë”, Rama reagon pas kritikave për shtetin Bektashi, “ftesë” kundërshtarëve: Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e sotëm përmes një postimi në platformën X, duke iu përgjigjur të gjithë kritikëve për idenë e krijimit të shtetit Bektashi në Tiranë, si një “Vatikan” në kryeqytet.

Kreu i qeverisë shprehet se është “mësuar të lexojë e dëgjojë çudira pas çdo ideje të re apo projekti ndryshimi që ka shprehur apo paraqitur në tërë këto vite, po këtë herë çuditë e thëna a të shkruara fill pas shprehjes së idesë të krijimit të një entiteti sovran të Urdhërit Bektashi, brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, kanë kaluar kufijtë e të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme”.

Rama shton më tej se “padijes së skëterrshme dhe shkujdesjes brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë”, por shton se nga nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë “të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota”.

Rama u ka bërë edhe një ftesë kundërshtarëve: Të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhërit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, duke shpresuar se mbase kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë

Reagimi i plotë:

Jam mësuar të lexoj e dëgjoj çudira pas çdo ideje të re apo projekti ndryshimi që kam shprehur apo paraqitur në tërë këto vite, po këtë herë çuditë e thëna a të shkruara fill pas shprehjes së idesë të krijimit të një entiteti sovran të Urdhërit Bektashi, brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, kanë kaluar kufijtë e të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme.

E vetmja gjë që nuk kam dëgjuar të thuhet nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është qoftë edhe një fjali me kuptim, mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë, se mirë për sfidat e mbijetesës së Urdhërit Bektashi sot e gjithë ditën duket që as nuk do t’ia dijë askush nga ata që çfarë s’po nxjerrin prej goje!

Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë dhe se nevoja e këtij hapi është jo vetëm në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar, po edhe në shërbim të domosdoshmërisë së investimit tonë të vazhdueshëm për ruajtjen e për pasurimin e thesarit të paçmueshëm të tolerancës e të harmonisë fetare, ku bektashizmi ka meritën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm krahas tre besimeve të tjera. Gjithësesi, nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.

Në ndërkohë ftesa ime për kundërshtarët e kaqshumëngutur të idesë është që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhërit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, duke shpresuar se mbase kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë. Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale – pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre – komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim.

Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë. Të adresosh sot këtë çështje do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë. Po për t’i folur urtësisht e qetësisht këto e kemi të gjithë kohën e nevojshme përpara.