Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi të mërkurën suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën. Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Tashmë tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa dy nga ta sot kanë dalë para gjykatës, raporton Gazeta Sinjali.
Seanca ndaj dy të dyshuarve që kanë dhënë ndihmë në grabitjen e argjendarisë në Suharekë, ka nisur rreth orës 16:00, ndërsa ende nuk ka dalë vendimi ndaj tyre.
Por, Gazeta Sinjali ka zbuluar ekskluzivisht identitetin e tyre: njëri nga ta është Albin Beqiri, i lindur më 2004 dhe tjetri Fatmir Tahiri, i lindur më 1980.
Të dy të dyshuarit janë nga Mitrovica dhe dyshohet se janë përfshirë në plaçkitjen e arit që tronditi Suharekën dhe jo vetëm.
Sinjali mëson se automjeti me të cilin ata kanë arritur të arratisen, me targa të vjedhura të rajonit të Prishtinës “01”, që sipas pamjeve duket të jetë e tipit “Chevrolet Cruze” u gjet në një bjeshkë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.