Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë sot pjesë në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Slloveni.
Në Samitin e BE-së që do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë diskutohet për raportet me SHBA-në dhe Kinën, si dhe mundësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Megjithëse në samitin e fundit në Berlin nuk u arrit asnjë marrëveshje, kësaj radhe pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në rajon, do të tentohet sërish të nënshkruhet dakordimi i gjashtë shteteve rajonale për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave.
Në samitin në Slloveni do të jetë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Sllovenia kryeson aktualisht presidencën e radhës në BE.
Nga Qeveria e Kosovës thonë se në samitin e 6 tetorit do të mbështesin bashkëpunimin rajonal vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërsa opozita dhe shoqëria civile kërkojnë përfaqësim të barabartë të Kosovës në nismat rajonale.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ditë më parë ka thënë për KP se ekzekutivi veçse ka shprehur gatishmërinë për arritjen e dy marrëveshjeve, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese.
“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kësaj radhe do të mbahet në Slloveni. Në mbështesim bashkëpunim rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Tashmë kemi shprehur gatishmërinë tonë për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese dhe qytetarëve të saj”, ishte shprehur Kryeziu.
Pengesë e arritjes së ndonjë marrëveshje për bashkëpunim rajonal në samitet e kaluara ka qenë kundërshtimi i Serbisë në referimin e Kosovës si shtet.
Në këtë samit pritet të marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të rajonit:, Kosova, Bosnja-Hercegovina Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, (MV), Serbia dhe Shqipëria, ashtu edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta në Bashkimin Evropian.