Miqësia e mirë që tregojnë në publik, nuk do të thotë se medoemos Kim Jong Un dhe Vladimir Putin i besojnë njeri-tjetrit.
Të paktën këtë tregon një video e bërë virale, e cila tregon agjentët e sigurisë së liderit të Koresë së Veriut, që ekzaminojnë në detaje karrigen në të cilën ai do të ulej gjatë takimit me kreun e Kremlinit.
Sigurimi i Kim është parë duke kryer kontrolle rigoroze në karrigen e tij përpara samitit të tyre të shumëpritur në kozmodromin Vostochny.
Fillimisht në video shihet një burrë me doreza të bardha dhe kostum të errët që fshin karrigen e zezë me një leckë të bardhë përpara se të dy liderët të ulen për takimin, i cili zgjati më shumë se 4 orë në qendrën hapësinore të Rusisë në Lindjen e Largët.
Pasi u siguruan se karrigia ishte e pastër nga çdo pajisje përgjimi apo lënë kimike të mundshme, një zyrtar i dytë – i veshur në mënyrë identike me të parin – testoi nëse karrigia ishte e fortë për të përballuar peshën e liderit të tij suprem, që është mbi 130 kg.
Më pas u shfaq sërish agjenti që pastroi karrigen për ta skanuar me një detektor të vogël metalesh.
Një person i katërt, i cili duket se është rus, e vëzhgon nga afër, duke i qëndruar gjithë kohën mbi supe një prej zyrtarëve të Koresë së Veriut.
Është e paqartë përse sigurimi i Kim u investua kaq shumë për të inspektuar karrigen ku do të ulej lideri i tyre, por gjasat janë që ata i druheshin lëndëve kimike vdekjeprurëse si Novichok dhe Polonium 210, të cilat janë përdorur më parë nga spiunët e Putin për të helmuar armiqtë.
Me të gjithë skenarët e mundshëm në mendje, duket se Kim nuk i ka lënë asgjë rastësisë, pavarësisht se dyshja pohuan më pas miqësinë e tyre gjatë takimit.