Nga frika se do ta pësojnë me jetë nga kundërofensiva ukrainase, ushtarë rusë kishin braktisur një bashkëluftëtarë i cili ishte futur në një bodrum, ku kishte qëndruar pa bukë e ujë për disa ditë.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ai ishte plagosur kurse shokët e kishin lënë vetëm derisa ishin tërhequr nga një rajon në Ukrainë që më nuk e kanë nën kontroll.
Me ardhjen e ushtarëve ukrainas në atë rajon, ushtari rus u gjet nga ta, dhe kur e nxorën nga bodrumi mezi arrinte të qëndronte në këmbë.
Ata madje i ofruan ndihmë, duke ia pastruar plagët dhe më pas i kishin dhënë ushqim e ujë. Ndërkaq nga Kievi është bërë e ditur se edhe ai sikurse çdo ushtar tjetër që është dorëzuar, do të trajtohet si rob lufte – duke respektuar çdo konventë ndërkombëtare.
Raste të dorëzimit të ushtarëve rusë po ndodhin çdo ditë e më shumë në Ukrainë. Madje shumë rusë kanë telefonuar ukrainasit përmes linjës së veçantë që e kanë hapur, nga ku kanë marrë instruksione se si duhet të dorëzohen.
Shumë prej të mobilizuarve rusë tashmë janë arratisur në vendet fqinje – e sipas ligjeve që janë në fuqi në Rusi, të gjithë ata që kapen duke dezertuar i pret dënimi me burgim e në rastin më të keq edhe me vdekje.