Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 3 mars 2020, një muaj pas marrjes së detyrës si kryeministër
Në të dhënat që ka deponuar ish-kryeministri Albin Kurti në AKK, figuron apartamenti i blerë i bashkëshortes, në vlerë 400 mijë euro.
Para të gatshme kreu i VV-së ka deklaruar se posedon 934 euro e 38 centë kurse 9 mijë e 650 euro e 39 centë para të gatshme ka bashkëshortja e tij në Oslo të Norvegjisë.
Ish-kryeministri Albin Kurti detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë nuk ka deklaruar asnjë shumë, ndërkaq bashkëshortja e tij ka kredi në vlerë prej 242,224.83 euro në Norvegji për blerje apartamenti.
Të hyra vjetore Kurti ka deklaruar 19.040.78 euro nga Kuvendi i Kosovës kurse bashkëshortja ka pagë 46 mijë e 990 euro në shtetin norvegjez.
Në të dhëna të tjera, Albin Kurti ka sqaruar se jeton në apartament me qira. Marrjen e detyrës si kryeministër i Republikës së Kosovës e ka pranuar me datën 04 shkurt, 2020, paga mujore e kësaj pozite është 1,443.20 euro.