Avokati Arianit Koci nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se pse ai përkrah martesën në mes të gjinive të njëjta. Koci thotë se një gjë e tillë është e drejtë e njeriut dhe e drejtë civile.
Koci kujton se janë 31 shtete që kanë lejuar martesat e tilla dhe se sipas tij “të gjitha shtetet demokratike, herët a vonë, do ta aplikojnë këtë dispozitë”
“Kosova, natyrisht se do të rreshtohet në anën e duhur: të demokracisë. Jemi në një fazë të krijimit të Kodit Civil prandaj duhet t’i aplikojmë trendet më të avansuar liberalo-demokratike. Përsëris, ky trend nuk do të ndalet. Aq sa ka mundur të ndalet e drejta e gruas apo edhe të personave me ngjyrë në votë!”, shkruan Koci.
Shkrimi i plotë i Kocit në Facebook:
E përkrah martesën midis gjinive të njejta
Projekt-Kodi Civil i Kosovës, në nenin 1138, lejon martesën midis gjinive të njëjta.
E përkrahi këtë iniciative.
Nuk do ta përdori gjuhën teknike juridike, me qëllim që masa e gjerë ta kuptojë domethënien e kësaj dispozite, por edhe qëndrimin tim lidhur me këtë të drejtë të njeriut.
1. Njohja e së drejtës së martesës ndërmjet gjinive të njëjta, konsiderohet si e drejtë e njeriut dhe e drejtë civile.
2. Deri tash, 31 shtete e kanë lejuar martesën ndërmjet gjinive të njëjta.
3. Shteti i parë që e ka lejuar martesën ndërmjet gjinive të njëjta është Holanda (1 prill 2001). Siç po e shihni, numri vazhdimisht po rritet!
4. Mbështetësit e martesës midis gjinive të njejta janë organizatat e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile, dhe komuniteti shkencor.
5. Kundërshtarët më prominentë janë grupet fetare. Madje, sheriati dhe e drejta kanonike, e ndalojnë në mënyrë eksplicite.
6. Trendet botërore indikojnë rritjen e vazhdueshme të mbështetjes së njohjes në martesë midis gjinisë së njejtë, në demokracitë e zhvilluara. Ky proces është i pandalshëm. Të gjitha shtetet demokratike, herët a vonë, do ta aplikojnë këtë dispozitë.
7. Komuniteti shkencor nuk e konsideron homoseksualizmin si zgjedhje, por si përcaktim biologjik.
8. Të mos harrojmë, se edhe në demokraci as gratë e as njerëzit me ngjyrë nuk janë lejuar të votojnë.
9. Shtetet që e kanë legalizuar martesën mes gjinive të njejta janë: Argjentina, Australia, Austria, Belgjika, Brazili, Kanada, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Danimarka, Ekuadori, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Luksemburgi, Malta, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Portugalia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Tajvani, Britania e Madhe, SHBA dhe Urugvaji.
10. Kosova, natyrisht se do të rreshtohet në anën e duhur: të demokracisë. Jemi në një fazë të krijimit të Kodit Civil prandaj duhet t’i aplikojmë trendet më të avansuar liberalo-demokratike. Përsëris, ky trend nuk do të ndalet. Aq sa ka mundur të ndalet e drejta e gruas apo edhe të personave me ngjyrë në votë!