Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarizoi sot marrëveshjen për bashkëqeverisje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Në marrëveshjen e nënshkruar nga dy krerët e këtyre partive, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, thuhet se marrëveshjen e kanë arritur “duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe obligimin për themelimin e institucioneve legjitime, funksionale e demokratike”.
Kur flasin për objektivat themelore të koalicionit mes tyre, LDK dhe AAK thonë se pajtohen që objektivat e qeverisjes në krye me Avdullah Hotin do të jenë beteja për ta mposhtur pandeminë e COVID-19, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë, forcimi i shtetit ligjor përmes luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe forcimi i partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton KOHA.
Në dokumentin ku kanë zyrtarizuar këtë koalicion qeverisës, thuhet se LDK-ja dhe AAK-ja, pajtohen të bashkëqeverisin në nivel qendror, në mandatin e legjislaturës së shtatë, në një koalicion të drejtuar nga LDK-AAK-NISMA-AKR-LISTA SERBE dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë (joserb) në Kuvendin e Kosovës.