Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, u raportua se do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.
REL dje raporti se Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Komisioni Evropian kanë thënë se “u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave”, dhe se KE i inkurajon ato që të vazhdojnë tutje me këtë proces.
“Komisioni Evropian konfirmoi në korrik 2018 se Kosova i përmbushi të gjitha kushtet që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave. Ky vlerësimi ynë qëndron ende. Pas votimit në favor të liberalizimit të vizave të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me heqjen e vizave për Kosovën”, tha Laura Berard, zëdhënëse e shtypit në Komisionin Evropian.
Në përgjigjen dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, thonë se rregullisht ofrojnë një përmbledhje të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme, dhe se një pasqyrë e fundit është përditësuar vitin e kaluar.
“Ne rregullisht përmes raporteve të vendeve në zgjerim, ofrojmë një përmbledhje të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme relevante për ato standarde. Një pasqyrë e tillë e përditësuar është ofruar më 19 tetor 2021, e cila dëshmon se Kosova ende i përmbush standardet”, tha Laura Berard nga KE.
Nga Komisioni Evropian bëjnë të ditur se edhe këtë vit do të prezantojnë raportin të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe se aktualisht po punohet në këtë përditësim i cili është vetëm “një dokument teknik që paraqet gjendjen e përditësuar që lidhet me standardet e liberalizimit të vizave për ta mbështetur në Këshill”.
“Për të mbështetur vendimmarrjen e shteteve anëtare, ne këtë vit do të prezantojmë po ashtu raportin tonë të zgjerimit 2022, të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave. Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, që paraqet një gjendje të përditësuar të performancës në ato fusha që lidhen me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill”, thotë zyrtarja e shtypit të KE-së.
Në fund, për Gazetën Online Reporteri.net, KE thotë se ky përditësim teknik nuk ka të bëjë me atë se do të shtohet ndonjë kusht i ri për Kosovën, sa i përket liberalizimit të vizave.
“Është vlerësimi ynë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.
Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do…
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…
Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…
Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë, është publikuar Exit…
Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…