Punët në ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë janë ende në fazat e hershme. Por deri të kryhet krejt ndërtimi i vrazhdë, përgjegjës do të jetë konsorciumi i dy kompanive Trio Construction dhe Bashkimi Projekt.
Pronarët e kësaj të fundit del të jenë vëllezërit e Islam Hasanit, drejtorit të Financave në Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila do të jetë pronare e xhamisë, njofton Klan Kosova.
Megjithatë, kompania ndërtuese mohon se lidhja familjare me Hasanin ka ndikuar në përzgjedhjen e tyre, sepse këtë e ka bërë Fondi Fetar i Turqisë që edhe i bën pagesat.
Bashkim Hasani nga Bashkimi Projekt thotë ka pasur edhe më herët bashkëpunime ndërkombëtare, teksa këtu aplikoi në mënyrë të rregullt dhe pati ofertën më të mirë.
“Nuk ka ndërhyrë as Naim Tërnava, as Islami, sepse ata nuk i kanë pyetur as Naimin e as Islamin, i kanë këqyr letrat”, tha ai.
Njësoj shprehet edhe vetë udhëheqësi i buxhetit të BIK-ut, Islam Hasani, që thotë se nuk ndikoi që vëllezërit e tij të përzgjidheshin si ndërtues të objektit gjigant. Sipas tij, Bashkësia Islame nuk ka qenë e përfshirë në këtë proces.
Kurse mbikëqyrësi i projektit nga BIK-u, Shkelzen Qorraj, tregon se si u bë prokurimi.
“I gjithë ky proces i tenderimit dhe i kontraktimit të punëve ka shkuar përmes një filtri shumë të lartë që është bërë në Turqi, nga ekspertë të fushës dhe është zgjedhur kompania që e ka pasur ofertën më të mirë”, sqarohet Qorraj.
Për të ka rëndësi si kryhet puna.
“Çështja është te aftësia profesionale, aftësia financiare dhe kapacitetet e kompanisë”, shton Qorraj, njofton Klan Kosova.
Megjithatë, prapa kamerave nga BIK-u i thanë televizionit se ish-udhëheqësia e komunës së Prishtinës ka tentuar të ndikojë te turqit në përzgjedhjen e kompanive ndërtuese.
Për këto çështje, Klani nuk ka marrë përgjigje nga Dijaneti Turk që është financuesi i xhamisë 40 milionëshe, për të cilën kanë kontribuuar besimtarët myslimanë atje.
Sipas planeve, xhamia pritet të ndërtohet brenda tri vjetëve.