Kompleksi turistik “Rajska Banja” që dje (e martë) u mor nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, deri vonë ka qenë strehë e terroristëve të pjesëtarëve të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, kurse drejtori i saj, Marko Saviq, ka qenë njëri nga pjesëmarrësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit. Këtë konstatim Kosovapress e ka mësuar nga të dhënat e komunitetit të inteligjencës në Kosovë.
Kosovapress ka siguruar fotografi të Marko Saviqit, i cili shihet së bashku me terroristët Vladimir Radivojevic – Mami (bashkëpunëtor i afërt i Milan Radoicic) dhe Uglesa Jaredic (shefi i truprojave të Radoicic). Radivojevic, së bashku me Radoicic dhe 18 të tjerë, kanë hyrë në “red notice” të Interpolit. Fotografia është realizuar me 24 shtator 2023, ditën kur Serbia kishte organizuar sulm terrorist në fshatin Banjskë.
Kompleksi “Rajska Banja”, dikur ka qenë një banjë termale e Kosovës, kurse organet ilegale të Serbisë kanë provuar që ta përvetësojnë duke u përpjekur që të investojnë, gjoja në bashkëpunim me kishën ortodokse.
Mirëpo, sipas informacioneve që ka siguruar Kosovapress, pikërisht në bodrumin e këtij kompleksi, më 25 shtator, është gjendur një automjet i tipit “Opel” me armatim, i cili është konfiskuar nga Policia e Kosovës. Hapësirën e këtij kompleksi, serbët e kishin shfrytëzuar edhe për pozicionimin ndaj sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, kur u vra pjesëtari i Policisë Afrim Bunjaku.
Para një viti, më 5 shtator 2022, kur në veri ishin ngritur barrikadat dhe ishte pamundësuar çdo qarkullim, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic, kishte vizituar “Rajska Banjën” së bashku me Petar Petkoviqin.
Të dhënat e Kosovapress tregojnë se ky kompleks turistik është udhëhequr nëpër periudha të ndryshme nga njerëz që kanë lidhje me institucionet e sigurisë së Serbisë.
Danilo Delibasic, që dikur ka qenë drejtor i këtij kompleksi, një kohë ka qenë edhe shefi i organizatës së shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, e njohursi ‘Mbrojtja Civile’. Pikërisht, Delibasic ka vozitur automjetin Audi A6 me targa BG 955 JM, i cili më 23 qershor 2023 është kapur me një sasi shumë të madhe armatimi në Zveçan.
Të dhënat thonë se, si rrallëherë një objekt i tillë ka qenë i lidhur me terroristët serbë. Edhe njëri nga terroristët e arrestuar më 26 shtator, Dusan Maksimovic, ka qenë punonjës i këtij kompleksi turistik.
Kosovapress kishte raportuar edhe më herët për përdorimin e këktij kompleksi nga terroristët serbë.