Kur vëmendja e botës është e përqendruar në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, një tjetër konflikt ka bërë që mijëra persona të vriten, miliona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ndërsa qindra-mijëra vuajnë për të siguruar ushqim.
Konflikti mes ushtrisë së Etiopisë dhe forcave nga rajoni verior Tigray nisi në nëntor të vitit 2020, ndërsa këtë javë Shtëpia e Bardhë reagoi duke e konsideruar atë si një nga krizat më të këqija humanitare në botë. Sipas disa vlerësimeve, të cilat nuk janë konfirmuar pasi në rajon nuk lejohet që gazetarët të futen, flasin për mbi 500 mijë persona të vrarë.
Lexo Edhe:
Ndërsa gjatë javëve të fundit luftimet janë intensifikuar ndjeshëm, ka dritë në fund të tunelit teksa kanë nisur negociatat mes palëve të udhëhequra nga Bashkimi Afrikan. “Afrika e Jugut po pret bisedimet e paqes për t’i dhënë fund konfliktit në rajonin Tigray,” u tha gazetarëve Vincent Magwenya, zëdhënës i Presidentit Cyril Ramaphosa. Ai shtoi se bisedimet po mbahen për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin e tmerrshëm.
Si nisi konflikti i përgjakshëm?
Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë qendrore të Etiopisë.
Kur kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të koronavirusit në muajin qershor të dy viteve më parë, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.
Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.
Në muajin shtator të 2020-ës, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.
Më pas, më 4 nëntor, kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.
Fronti Çlirimtar Popullor ka hedhur poshtë këto pretendime. Trupat e këtij Fronti, që përbëhen nga njësitet paraushtarake dhe milicia lokale, kanë rreth 250,000 anëtarë.