Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë vizitës në SHBA, zhvilloi takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York.
Konjufca tha se në SHBA ndihet si në shtëpinë e vet, pasi që sipas tij ky vend ishte më miqësori në histori për Kosovën.
“Pa mbështetjen e SHBA-së do të kishte qenë shumë e vështirë arritja e lirisë tonë, është pothuajse e paimagjinueshme. Në të vërtetë për të gjitha këto që kemi arritur po të mos ishte në botë demokracia më e fuqishme edhe shteti më i fuqishëm i botës, të cilit duhet t’i falënderohemi Zotit që është demokraci më e fuqishme e botës që është SHBA”, tha Konjufca.
“E unë mendoj që komuniteti shqiptar që jeni ju këtu që jetoni ka qenë faktori më i rëndësishëm për me ndërtu urat lidhëse edhe për me na besu SHBA-ja që ne e kemi me të drejtë kauzën tonë, që ne kemi të drejtë në lirinë tonë, edhe me bind SHBA-në për me na ndihmu’, tha Konjufca.
I pari i Kuvendit falënderoi mërgatën shqiptare në SHBA për kontributin që ka dhënë për shtetndërtimin e Kosovës.
“Ju keni bërë shumë më shumë se sa që dihet, se që shkruhet, se që mundesh me pa në filma dokumentar e sa që mundemi me gjet në libra keni bërë për popullin shqiptar”, tha Konjufca.