Kur kanë mbetur më pak se dy ditë nga seanca konstituive, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se për partinë e tij Vjosa Osmani do të ishte e pranueshme për postin e presidentit të Kosovës.
“Mendoj që përderisa jemi në opsionin A dhe ky opsion është presidenti jashtë bisedave, unë mendoj se është kot të flasim për emra. Nëse shkojmë në opsionin B të zgjidhjes dhe hyn edhe presidenti atëherë Lëvizja Vetëvendosje mendoj se nuk ka kurrfarë problemi me emrin e Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës në kuptimin e asaj çka ajo besoj se do të performonte”, tha ai në Dukagjin.
Konjufca madje dha edhe sqarimin për atë që tha deri sa përmendi edhe se cilat janë detyrat e një presidenti.
“Prej presidentit pritet përfaqësimi i unitetit të popullit. Një ekspert juridik një profesor i fakultetit që është marrë në fushën e kushtetutës kish pas me thanë që problemi është se ajo vjen nga një parti politike mirëpo, presidenti i ka dy anë, është e rëndësishme prej nga vjen aj por është e rëndësishme që kur e qon dorën dhe e jep veprime me hy në këto standarde kushtetuese dhe me vepru sipas kompetencave që i përshkruan kushtetuta, kështu që nëse unë tash nëse fantazoj dhe ju më kërkoni që të fantasoj dhe vi në përfundim që Vjosa Osmani si një personalitet i skenës sonë politike e cila ishte edhe kandidate për kryeministre vjen në këtë pozitë dhe e bën betimin a do të i performonte këto kompetenca kushtetuese me nder, unë do të thoja po në kuptimin që, unë nuk e di saktë por krejt në fund të fundit në politikë është besimi, unë mund të besoj se po dhe ajo nuk do të i bënte keq Kosovës”, shtoi Konjufca.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk kanë arritur ende të kenë një marrëveshje qeverisëse.
Në marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm të qeverisë në mes të LVV-së dhe LDK-së pritet të përfshihet edhe çështja e presidentit të ardhshëm i cili zgjidhet në pranverën e vitit 2021.
LDK kishte preferuar që para se të bëhej koalicioni mes tyre të merrej vesh edhe për çështjen e presidentit.